
TIRANË- Çarja e një tubi gazi pranë një karburanti në rrugën ‘Sadik Petrela’ në Tiranë, ka vënë në alarm Policinë e Tiranës, ndërkohë kreu evakuuimin e banorëve në zonën që gjendet aty pranë. Për çështje sigurie u bllokua përkohësisht rruga e urës së Shkozës dhe perimetri që ka rrezikshmëri.
Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se deri tani nuk raportohet për persona të lënduar e megjithatë në vendin e ngjarjes janë nisur dhe ekipet e ambulancës dhe ndihmës së shpejtë.
Forcat e policisë janë duke lagur zonën me ujë për të shmangur çdo zjarr të mundshëm. Në afërsi me karburantin ndodhet dhe një çerdhe dhe kopësht, fëmijët e të cilëve janë larguar nga ana e edukatorëve dhe familjarëve të tyre.
Fatmirësisht situata duket se është vënë nën kontroll, dhe është shmangur një tragjedi e mundshme pasi sasia e karburantit që ishte në depo llogaritet me tonelata.
“Më datë 30.09.2023, rreth orës 11:35, në rrugën “Sadik Petrela”, në një karburant, është çarë një tub gazi i karburantit.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të ambulancës dhe të zjarrfikëses, dhe teknikët të cilët po punojnë për rregullimin e defektit.
Shërbimet e Policisë kanë evakuuar banorët dhe për çështje sigurie është bllokuar përkohësisht rruga e urës së Shkozës dhe perimetri që ka rrezikshmëri.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia e Tiranës./Zëri.ai