
LEZHË-Policia e Lezhës ka bërë të mundur arrestimin e 48-vjeçarit Arben Zagolli, i cili ishte i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë. 48-vjeçari po udhëtonte nga Pogradeci në me një taksi drejt Lezhës. Nga kontrolli fizik i 48-vjeçarit Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishekë, dy mina me telekomandë, dhe municion luftarak. Policia thotë se hetimi është në bashkëpunim me Prokurorinë dhe vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48- vjeçarit Arben Zagolli të armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale.
Njoftimi i policisë
I armatosur me armë zjarri dhe me dy mina me telekomandë, falë inteligjencës policore, parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, operacioni policor i koduar “Destinacioni”.
Kapet te “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë, 48 vjeçari nga Pogradeci që udhëtonte me një taksi drejt Lezhës. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, dy mina me telekomandë dhe municion luftarak.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme në kuadër të megaopeacionit "Sundimit të Ligjit", bazuar në inteligjencën policore se një shtetas i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë po udhëtonte drejt Lezhës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Destinacioni”.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin taksi ku udhëtonte si pasagjer shtetasi Arben Zagolli. Nga kontrolli fizik i këtij shtetasi, Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishekë, dy mina me telekomandë, dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Arben Zagolli, 48 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48 vjeçarit i armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.