BERAT- Trupi i pajetë i 42-vjeçarit Ilir Kurti është gjetur pas një operacioni 10 ditor kërkim-shpëtim në ujërat e lumit Osum. Efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut kanë bërë të mundur ditën e sotme, 28 shkurt, gjetjen e trupit të pajetë të 42-vjeçarit.
Trupi i të ndjerit u gjet në zonën midis fshatrave Orizaj dhe Buzuq. Për shkak të rrjedhës së lartë të ujërave të lumit Osum, trupi i tij i pajetë u nxor nga rryma në fshatin Kakrruk. Më pas, ai u transportua në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit. 42-vjeçari Ilir Kurti rezulton i zhdukur që prej mbrëmjes së 19 shkurtit. Dyshohet se ai i dha fund jetës duke u hedhur në lumë në vendin e quajtur “Ura e Blezënkës”, në afërsi të kanioneve të Osumit në Skrapar.
Operacioni i kërkim-shpëtimit nga Forcat e Armatosura dhe polumbarët u organizua dhe po vijonte prej ditësh. Me ndihmën e pajisjeve të specializuara, kontrollet u zhvilluan në të dy brigjet e lumit, nga zona e kanioneve deri në urën e Çorovodës.
Më datë 22 shkurt, gjatë operacionit të kërkim-shpëtim, u regjistrua një incident ku 22-vjeçari Xhuljano Kaloti, i cili u angazhua vullnetarisht me forcat RENEA, mbeti i bllokuar në kanionet e Osumit. I riu arriti të shpëtohej dhe të nxirrej nga ujërat e Osumit, me 22 shkurt, falë operacionit që u koordinua nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në mbështetje të strukturave vendore dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave speciale RENEA dhe Forcat e Armatosura.
