
TIRANË- Pas një beteje pothuajse 3 vjeçare në të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë, Elvin Gogaj dhe Alfred Shehu janë certifikuar si prokurorë të SPAK edhe nga Gjykata Kushtetuese. Përzgjedhja e tyre në Prokurorinë e Posaçme ishte apeluar nga ish-prokurorja e Krimeve të Rënda Sonila Muhametaj, e cila kishte qenë pjesë e të njëjtës garë, ku Shehu dhe Gogaj u zgjodhën anëtarë të SPAK. Pas një beteje 3 vjeçare, në datën 1 Tetor Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e prokurores Muhametaj, duke lënë në detyrë prokurorët e SPAK.
Çfarë kërkonte Muhametaj
Shfuqizimi i vendimeve nr. 356, datë 03.11.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për miratimin e listës së kandidatëve për prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të cilët plotësojnë kushtet ligjore”; nr. 385, datë 13.12.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për miratimin e shkallës së vlerësimit të kandidatëve për ngritjen në detyrë pranë Prokurorisë së Posaçme”; nr. 386, datë 13.12.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për miratimin e listës me renditjen e kandidatëve për prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”; nr. 387, datë 13.12.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për emërimin si prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të kandidatit Elvin Gokaj”; nr. 388, datë 13.12.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për emërimin si prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të kandidatit Alfred Shehu”; nr. 83, datë 01.12.2022 dhe nr. s’ka, datë 04.05.2023 të Gjykatës Administrative të Apelit; nr. 5, datë 10.07.2023 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë; nr. 00-2023-4083, datë 25.09.2023 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Detyrimin e palës së paditur, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të riçelë procesin e vlerësimit të kandidatëve për SPAK në fazën fillestare.
Çfarë vendosi Gjykata Kushtetuese
Rrëzimin e kërkesës
Më herët, 1 vit pas marrjes së detyrës nga dy prokurorët në vitin 2022, Gjykata Administrative e Apelit e kishte pranuar padinë e Sonila Muhametaj ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gjykata kishte shpallur të pavlefshme garën, dhe kishte kërkuar rishikimin e vendimit të KLP-së. Më pas Gogaj dhe Shehu u rikthyen në detyrë me vendim të Gjykatës së Lartë, edhe pse prokurorja Muhametaj, nuk u ndal me 'luftën e saj'. Tashmë pas 3 vitesh, dy prokurorët e SPAK, duket se ia kanë dalë që të fitojnë betejën në mënyrë përfundimtare, në shkallën më të lartë të gjyqësorit, atë në Kushtetuese. /ZËRI