Aktualitet

Pas Semanit, Ertis Shehu dyshohet se tjetërsoi edhe 71.7 hs tokë në Levan! Zbulohet SKEMA

Lidhur me këtë rast, janë arrestuar Ertis Shehu dhe përfituesi i pronave Ervin Habilaj. Ndërkohë, ish-hartografi Emiljano Ruko, është lënë nën masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur”.

zh.ll
Pas Semanit, Ertis Shehu dyshohet se tjetërsoi edhe 71.7 hs tokë
foto ilustruese

FIER- Ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, i arrestuar pak ditë më parë në kuadër të hetimit për tjetërsimin e rreth 1,143 hektarëve tokë në zonën e Semanit, rezulton i përfshirë edhe në një tjetër procedim penal të Prokurorisë së Fierit. Këtë herë, bëhet fjalë për regjistrimin dhe tjetërsimin e rreth 71.7 hektarëve tokë në Levan dhe Dërmenas.

Sipas Prokurorisë, çështja nis me një vendim të vitit 2008 për njohjen dhe kompensimin e 100 hektarëve tokë, ku pavarësisht se njëri prej trashëgimtarëve përfituar, Ervin Habilaj kishte përfituar kompensimin prej 53 milionë lekësh, dyshohet se kishte nisur regjistrimin e 6 pasurive me sipërfaqe 71.7 hektarë tokë.

Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë tjetërsuar nëpërmjet shitjes, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar edhe 715,976 euro në llogarinë e përfituesit të pronave.

Lidhur me këtë rast, janë arrestuar Ertis Shehu dhe përfituesi i pronave Ervin Habilaj. Ndërkohë, ish-hartografi Emiljano Ruko, është lënë nën masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur”.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u arrestuan shtetasit, E.S., ish-Drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe përfituesi i pronave, të dyshuara të marra me dokumente të falsifikuara E.H., si dhe u dha masë sigurimi ‘Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore’ për shtetasin E.R., ish-hartograf pranë ASHK-së Fier.

Hetimet mbi procedimin penal nr. 1715, datë 05.11.2025, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga nenet 186, 143, 287 dhe 248 të Kodit Penal, nisën pas dyshimeve për përfitim dhe regjistrim të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit, si dhe tjetërsimin e tyre dhe qarkullimin e vlerave monetare të përfituara.

Fakti penal i dyshuar lidhet me vendimin e vitit 2008 i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që parashikonte njohjen e të drejtës së kompensimit për 100 ha tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit. Një prej trashëgimtarëve përfitues, shtetasi E.H., ka përfituar më pas, me Vendimin nr. 1944, datë 26.11.2018, të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kompensim financiar në vlerën 53.800.000 lekë.

Pavarësisht kompensimit financiar, nga hetimi dyshohet se gjatë vitit 2023, shtetasi E.H. ka ndjekur procedura për regjistrimin e 6 pasurive në ZK nr. 2436, me sipërfaqe totale rreth 71.7 ha, duke iu referuar Vendimit nr. 246, datë 21.02.2008.

Hetimi deri ne këtë fazë ka evidentuar veprimet e E.S., ish-Drejtor i ASHK Fier, dhe E.R., ish-hartograf pranë ASHK Fier, lidhur me trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e pasurive.

Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë tjetërsuar nëpërmjet shitjes, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Hetimi vijon për verifikimin e këtyre transaksioneve, gjurmimin e vlerave monetare dhe përcaktimin e destinacionit të tyre.

Gjatë hetimit u sekuestruan edhe 715.976 euro, të depozituar në llogarinë bankare të E.H. Si dhe janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.

Hetimi vijon për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale.

Rasti i Levanit vjen në një moment kur Ertis Shehu ndodhet gjithashtu nën masë sigurie në kuadër të dosjes së Semanit, ku Prokuroria e Fierit heton tjetërsimin e rreth 1,143 hektarëve tokë, të regjistruara në emër të biznesmenit Kastriot Hasko./ZËRI

Poll

MOS HUMB