Aktualitet

Pas tensioneve dhe debateve, miratohet projekt buxheti i vitit 2025, çfarë ndodhi sot në Kuvend

Por ashtu si çdo seancë plenare, edhe kjo e sotmja nuk kaloi pa debate në Kuvend.

I.F
Pas tensioneve dhe debateve, miratohet projekt buxheti i vitit 2025,
Votimi

TIRANË- Me 75 vota pro, 0 abstenim dhe 40 kundër u miratua sot në Kuvend projekt buxheti për vitin 2025. Në momentin e votimit ishin prezentë 116 deputetë. Sipas projektbuxhetit do të ofrohen 8.2 miliardë euro që do të shpenzohen në paga, investime, mbrojtje sociale, rindërtimin, interesa borxhi, fonde rezervë, për pushtetin vendor, ndihma ekonomike, kompensime, bujqësia dhe skema të tjera.

Por ashtu si çdo seancë plenare, edhe kjo e sotmja nuk kaloi pa debate në Kuvend. Sapo ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu ka hyrë në Kuvend, ajo u prit me tensione në sallë. Nuk kanë munguar akuzat dhe fyerjet në sallë nga ana e opozitës në disa momente, madje kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi iu afrua Foltores dhe u përplas me Manastirliun dhe dy ministret e tjera, për shkak të vdekjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli”. Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa kërkoi që ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu të japë dorëheqjen pas ngjarjes së rëndë. Zhupa kërkoi që dikush të mbajë përgjegjësi për vrasjen e tij.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali i ndërpreu fjalën duke thënë se po përdorte procedurën për politikë. Debatet vijuan pasi Zhupa përmendi paketën e sigurisë në shkolla e propozuar më shumë se një vit më parë nga Ministria e Brendshme, me ndryshime në 11 nene të Kodit Penal për ashpërsim të krimeve në ambientet e shkollave, por që mbeti pezull. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili propozoi paketën, i kërkoi opozitës që të mos bëjë politik me këtë ngjarje të rëndë.

Po ashtu jashtë Kuvendit u mblodhën qytetarët për të protestuar ndaj miratimit të buxhetit 2025. Thirrja për protestë u bë nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha disa ditë më parë për të kundërshtuar miratimin e buxhetit 2025, pasi e quajti këtë “buxheti i vjedhjeve”.

Sipas relacionit të projekt buxhetit rreth 1/3 nga shpenzimet do të shkojë për mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, skemën e pensioneve, për ndihmën ekonomike, pagesa e papunësisë apo kompensimi ish-pronarëve me në total 291.9 miliardë lekë, ose rreth 3 mld euro. Pas dy ditësh diskutime, seanca plenare u mbyll në orën 20:30. /ZËRI

Poll

MOS HUMB