Aktualitet

Pastronte paratë e vëllezërve Çopja, ekstradohet nga Italia drejt Shqipërisë Klajdi Merkaj

Merkaj u arrestua më 16 tetor të këtij viti, pasi akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.

I.F
Pastronte paratë e vëllezërve Çopja, ekstradohet nga
Vëllezërit Merkaj dhe Franc Çopja

TIRANË- Klajdi Merkaj, i cili u arrestua në Romë për llogari të dosjes “Çopja” është ekstraduar nga Italia në Shqipëri. Merkaj u arrestua më 16 tetor të këtij viti, pasi akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Vëllezërit Merkaj nga Berati janë "subjekti" më i ri i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për të tre vëllezërit Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj, SPAK nisi një hetim pasuror. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sekuestrimit të pasurive të Klajdit Merkaj, Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj.

Klajdi Merkaj ka pasur komunikime në aplikacionin "SkyECC" me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja. Franc Çopja dërgonte eurot me valixhe nga Londra dhe vende të tjera të Europës, ndërsa pritës në Shqipëri rezulton të ketë qenë Klajdi Merkaj. Paratë më pas investoheshin në Shqipëri, duke ndërtuar komplekse rezidenciale dhe troje. Në emër të Klajdi Merkajt deri më tani, rezulton kompania “Merkaj Invest” që ka si objekt fushën e ndërtimit të të gjitha llojeve duke përfshirë, ndërtimet për qëllime banimi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB