TIRANË- Gjykata Kushtetuese po zhvillon këtë të martë seancën për shqyrtimin e ankimimit të depozituar nga deputetët e opozitës lidhur me vendimmarrjen për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare. Bëhet fjalë për çështjen 'McGonigal', si dhe me komisionin për zgjedhjet e 11 majit.
Demokratët do të përfaqësohen nga Kryetari i Grupit Parlamentar te PD, Gazment Bardhi dhe Këshilltari i Grupit te PD-s, Marash Logu, të cilë do të mbrojnë padinë për refuzimin e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare.
Në kërkesën që mban firmën e 38 deputetëve të opozitës, demokratët kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të detyrojë Kuvendin për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore të propozuara nga opozita atë për McGonigal dhe për zgjedhjet e 11 majit. Opozita arsyeton se rrëzimi nga mazhoranca me votë politike i kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore përbën cënim të drejtpërdrejtë të një të drejte kushtetuese që i takon pakicës parlamentare.
“Ne deputetët e pakicës parlamentare jemi të vendosur për të qëndruar të angazhuar në proceset demokratike brenda sistemit institucional, por nuk do të pajtohemi kurrë me asgjësimin e parlamentarizimit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese. Një vend që pretendon antarësimin në Bashkimin Europian, që cenon rregullat minimale të bashkëjetesës demokratike brenda Kuvendit, ku mazhoranca ka rolin e saj dhe opozita përgjegjësitë e saj, nuk mund të jetë asgjë më shumë se një propagandë e papërgjegjshme për një normalitet të rremë demokratik. Këtë realitet të rremë mund dhe duhet ta korrigjojë sistemi i garancive kushtetuese institucionale – ku rolin kyç e ka Gjykata Kushtetuese.”- thuhet në kërkesë./ZËRI