
TIRANË- Partia Demokratike po planifikon protestë para Kuvendit të Shqipërisë. Në kuadër të aksionit opozitar, PD ka lajmëruar protestë të hënën më 5 shkurt, në orën 16:30. Tubimi do të nisë para seancës plenare, por deri më tani nuk ka të dhëna sesi do të zhvillohet më tej.
Ndërkohë i ftuar në "News 24", Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u shpreh se e hëna do të shënojë nisjen e një aksioni të ri opozitar dhe do të ketë një bllokim të institucioneve të vendit, por nuk dha detaje të tjera, pasi u shpreh se të shtunën do të mblidhet Këshilli Kombëtar, i cili do të diskutojë dhe strategjinë.
Flamur Noka: Protestë të hënën në orën 16:30, para Parlamentit. Në kuadër të aksionit tonë opozitar dhe mosbindjes civile, para një Parlamenti që nuk është më i shqiptarëve, por i krimit, inceneratorëve, siç rezultoi dhe nga intervista e Ahmetajt. Ende nuk dihen detajet, nesër Këshilli Kombëtar mblidhet në orën 5, dhe një nga pikat e diskutimit do të jetë protestë. Nesër do të ketë axhendë opozita bllokime, paralizim të institucioneve të këtij shteti, jo nesër, në vazhdimësi. Ky vend nuk mund të funksionojë pa demokraci, ne nuk do reshtim.
Mendohet se tubimit do i bashkohen edhe 19 deputetët që shkaktuan trazira në seancën e fundit plenare. Nga Sekretariati i Etikës në parlament u përjashtuan: Ervin Salianji, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji, Samir Korreshi, Kasem Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhala, Lodovik Hasani dhe Luan Baçi.
Por me përjashtimin e tyre nuk dihet se kush do të jenë "kryesuesit" e aksionit brenda në sallë./ZËRI