
TIRANË- Grupi i hackerave iranianë "Homeland Justice" vazhdon dhe ngul këmbë se ka marrë nga faqja e INSTAT të gjitha të dhënat e censit të zhvilluar pak javë më parë. Me një reagim tjetër që kanë bërë në grupin e tyre në "Telegram", Homeland pretendon se pas sulmit tashmë kanë akses në qindra mijëra të dhëna, të cilat i kanë kopjuar dhe i kanë zhdukur nga serverat.

Kjo pasi sipas tyre, ato ruhen në një server tjetër, të ndarë nga INSTAT.
"Instat është fshehtësi më i madh i së vërtetës. Tani kemi akses të plotë në mbi 100 Terabajt të të dhënave tuaja dhe censit. Të dhënat gjithashtu janë kopjuar dhe hequr nga serverët. Të gjitha statistikat janë kundër jush,"-shkruhet në postimin e bërë në Telegram.
VIDEOJA E PUBLIKUAR:
Ishin hakerat iranianë “Homeland Justice”, ata që lajmëruan sulmin në faqen e INSTAT këtë të enjte. Ndërkohë që vetë INSTAT pretendon se asnjë e dhënë nuk është prekur, aq më pak të dhënat e Censit. Por reagimi i institucionit sot ka ngritur hije dyshimi. INSTAT në një njoftim së fundmi bën të ditur se do të shtyhet publikimi i statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë. Sipas INSTAT, sulmi ka bërë që shërbimet e internetit të faqes zyrtare dhe emailit të jenë ndërprerë. Por megjithatë INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi.
NJOFTIMI:
Tiranë, më 02 Shkurt 2024: Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton publikun se për shkak të një sulmi kibernetik që preku disa nga sistemet e tij më 31 janar 2024 do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë. Sulmi kibernetik i cili synoi të dëmtojë të dhënat e INSTAT ka bërë që shërbimet e internetit të faqes zyrtare dhe emailit të jenë ndërprerë.
INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi. Ekipi teknik i INSTAT menjëherë aktivizoi protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme. INSTAT do të vazhdojë aktivitetin e tij statistikor dhe do të përdorë mjete alternative komunikimi si adresa e email-it [email protected] dhe kanalet zyrtare të rrjeteve sociale, Instagram dhe Facebook. INSTAT i kërkon ndjesë publikut për këtë pamundësi ofrimi shërbimesh momental që shkaktoi ky incident dhe siguron publikun se po punon intensivisht për të rikthyer shërbimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur.
INSTAT do të njoftojë datat e reja të publikimit dhe falënderon përdoruesit, partnerët dhe veçanërisht ekspertët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe deri në funksionimin e plotë të gjithë sistemeve të Teknologjisë së Informacionit të INSTAT. INSTAT mbetet i angazhuar për të siguruar statistika zyrtare me cilësi të lartë dhe të besueshme për përdoruesit.
Çfarë është HomeLand Justice?
'HomeLand Justice' është faqe e internetit që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022. Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet. Në faqen e internetit HomeLand Justice ekzistojnë disa publikime, në të cilat grupi merr përgjegjësinë për sulmin kibernetik, siç thuhet, për shkak të urrejtjes ndaj qeverisë shqiptare. Sipas tyre, shkak është strehimi që Shqipëria i ka bërë anëtarëve të MEK (Muxhahedinët Popullorë të Iranit).
MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin. Ndaj edhe lidhja me sulmin e "Homeland Justice" bëhet me kampin e MEK në Shqipëri./ZËRI