Aktualitet

Përgjigje për Rezart Veleshnjën

Rezart Veleshnja, aktor, në disa story që ka hedhur në Instagram, ai ka bërë më shumë se 3 minuta video të dedikuara ndaj nesh..., ndjesë, sulm ndaj nesh!

Redaksia Zëri
Përgjigje për Rezart Veleshnjën
Rezart Veleshnja

Nga Redaksia ZËRI

TIRANË- Dje, ZËRI, publikoi dokumentarin e parë, duke zbuluar një rrjet trafiku droge dhe prostitucioni. Prej orës 18.30 të pasdites, kur edhe u publikua dokumentari, e deri sot, më shumë se gjysmë milioni njerëz e kanë parë, komentuar dhe dënuar. Mes tyre edhe një prej kompanive, taksisti i të cilës u filmuar duke e konsumuar drogën brenda në mjet, reagoi dhe falenderoi ZËRI-n, duke u shprehur të hapur për të bashkëpunuar me institucionet. Por nëse në deklaratë kompania është në lartësinë e komunikimit publik, sulmet dhe atakimet kësaj here i bën një personazh jo pak i njohur dhe i dashur për publikun. Rezart Veleshnja, aktor, në disa story që ka hedhur në Instagram, Veleshnja ka bërë më shumë se 3 minuta video të dedikuara ndaj nesh..., ndjesë, sulm ndaj nesh!

"Ju portalet që vini gjoba, duke përmendur emrin e kompanive, flas për rastin e kompanisë tonë, të Luxit. Po ju jeni maskarenj, jeni gjobëvënës të gjithë. Ju doni lekë, ju çoni mesazhe, i dimë shumë mirë. Thoni na sill kaq lekë që të mos u nxjerr emrin."

Sqarim 1: Në asnjë moment, asnjë gazetar i ZËRI-t nuk ka kërkuar para nga asnjë prej kompanive të shfaqura në dokumentar. Por duke qëne se Veleshnja pretendon se ka mesazhe është i lutur që t'i dorëzojë në Prokurori, në të kundërt na lihet që të kuptohet se e gjitha është e stisur, nga ana e Veleshnjës, pikërisht për të prishur imazhin e medias. Por në fund të ditës jemi këtu për të informuar qytetarët në misionin tonë, jo për të sqaruar aktorin sesi funksinojnë disa media të caktuara në vendin tonë, pjesë e të cilës ne nuk jemi.

"Ai taksisti ka ikur, mbasi ju keni bërë videon, ai ka ikur një ditë më mbrapa."

Sqarim 2: Ne marrim përsipër me kompetencë se në kohën kur video është xhiruar, zotëria ka qenë në kryerjen e turnit në kompaninë në fjalë. Dhe qëllimi ynë nuk është të implikojmë kompaninë në aktivitetin e taksistit, por vënien përpara përgjegjësisë që shoferët të jenë larg modelit narkoman që u shfaq në minutazhin tonë.

"Le të kujdeset shteti. Ju të portaleve nuk keni të drejtë që të nxirrni dhe të përmendni emrin e kompanisë se nuk shet kompania more zotëri."

Sqarim 3: Patjetër që edhe shteti duhet që të përgjigjet lidhur me skandalin e zbuluar nga ZËRI. Por edhe kompanitë private që kryejnë një shërbim publik dhe që në përshkrimet e tyre pretendojnë se çdo udhëtar do të ketë një eksperiencë të sigurtë, duhet të marrin masa që taksistët e tyre të mos lëpijnë karta me kokainë, të mos pinë alkool e të marrin njerëz në qafë.

Megjithatë, ZËRI e ka bërë shënimin të qartë, e zeza mbi të bardhë duke shkruar: ZËRI merr të mirëqenë që kompanitë e shfaqura në këtë dokumentar nuk janë të përfshira në aktivitetin e jashtëligjshëm të shfaqur në skenat e këtij materiali. Përgjegjësia penale është individuale ndaj çdo përfshirje e mëtejshme është detyrë e organeve ligjvënëse.

"E keni problemin më të madh dhe thoni pse nuk reagon Policia e Shtetit."

Sqarim 4: Këtë kërkojmë edhe ne, madje këtë po e presim prej shumë ditësh, një reagim nga Policia dhe ndëshkim të shitësve të drogës dhe të shoferëve të papërgjegjshëm. Më shumë jo.

Sa i përket ofendimeve dhe sharjeve që aktori orienton drejt gazetarëve, po zgjedhim t'i injorojmë pasi nuk janë thelbi dhe synimi ynë por vetëm interesi publik. Përsa më sipër, ne të ZËRI-t jemi korrekt totalisht dhe lartësojmë mundin dhe djersën e kujtdo, respektojmë punën dhe sakrificat. Për këtë arsye i mendojmë se veprimet e shfaqura me shitje droge, janë individualë të secilit person. Ne nuk besojmë e as duam ta besojmë se janë aktivitete të kompanive vetë. Por, ndërkohë , do ishte mirë që edhe personazhe publike si Veleshnja, pavarësisht se paguhen për të dalë e sharë ne, mirë do ishte t'i bënin thirrje edhe qytetarëve të bëjnë kujdes, të mos konsumojnë droge, të shohin e të zgjedhin për transportin e tyre taksistin (kompaninë) që ofron më shumë siguri dhe që përpiqet maksimalisht ti evitojë sa më shumë fenomenet negative si ato që u shfaqen në dokumentar.

Ne vlerësojmë dhe Rezartin për gjithçka ka bërë me jetën e tij, dhe nuk presim të njëjtin vlerësim në shkëmbim për ZËRI dhe gjithçka kemi bërë ne. Por të paktën Rezarti (dhe cilido personazh publik do paguhet të bëjë video promocionale për kompanitë e taksive në vazhdim) të paktën të ruajë dhe një minimum respekti për ata njerëz që me plot të drejtë presin siguri nga transporti taksi, që e paguajnë me lekë./ZËRI

Poll

MOS HUMB