DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka nisur hetim në lidhje me përmbytjet në Durrës përgjatë dy ditëve të fundit. Hetimet kanë nisur për tre vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia".
Sipas Prokurorisë, vdekja e punonjësit të Ndërmarrjes Komunale, Astrit Hysenaj, ka ardhur pikërisht për shkak të situatës së krijuar të përmytjeve. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që Hysenaj ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.
Kjo ngjarje është bërë shkak për fillimin e hetimeve me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore
Njoftimi:
Përmbytjet, Prokuroria e Durrësit nis hetimet për tre vepra penale nga ‘Shpërdorim detyre’ tek ‘Shkatërrimi pronës nga pakujdesia’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës regjistron kryesisht procedim penal për tre vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga nenet 153, 161 dhe 248 të Kodit Penal pas përmbytjeve të ndodhura në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe zonat përreth tij.
Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme.
Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.
Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.
Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale.
Durrësi është një nga qytetet më të goditura, ku janë regjistruar përmbytje të përmasave katastrofike. Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuuimin e menjëhershëm për banorët e zonës së Sukthit dhe Katundit të Ri në Durrës, ndërsa rreth 500 hektarë tokë rezultojnë të përmbytura. /ZËRI
