
PRISHTINË – Të dërguarit perëndimorë, që do të vijnë nesër në Prishtinë, por do shkojnë edhe në Beograd, pritet që t’i kërkojnë Kosovës dhe Serbisë, që të angazhohen në mënyrë serioze, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. SHBA, Gjermania dhe Franca duan vazhdimin e dialogut dhe pritet të ketë presion mbi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për zbatimin e marrëveshjeve.
Ngjarjet e fundit në Kosovë, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike atmosferën politike, do t'i detyrojnë diplomatët të kërkojnë veprime konkrete: që Beogradi të dënojë fuqishëm dhe pa mëdyshje incidentin e fundit të armatosur në Banjskë, si dhe që të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet. Diplomatët pritet të mbërijnë me kërkesa dhe afate specifike, por gjithashtu mund të njihen edhe me pasoja, në rast se refuzohet të zbatohet marrëveshja për normalizim.
Të shtunën, fillimisht në Prishtinë, e më pas në Beograd, do të mbërrijë një grup prej pesë delegatësh - Miroslav Lajçak, në emër të Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar (SHBA), Emanuel Bon (Francë), Jens Pletner (Gjermani) dhe Francesco Talo (Itali).
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për Agjencinë Beta se përfaqësuesit ndërkombëtarë po shkojnë në bisedime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, me pritshmëri të qarta që të dyja palët të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të zbatojnë detyrimet e tyre pa vonesë.
Johanna Deimel, një analiste e pavarur gjermane për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore, tha për median në gjuhën serbe “Demostat” se fakti që në Prishtinë e Beograd vijnë 5 diplomatë perëndimorë, tregon sesa me rëndësi është për ta, normalizimi i raporteve në Ballkanin Perëndimor.
Një presion pritet të ketë edhe mbi presidentin serb Aleksandër Vuçiç, që të nxjerrë përpara drejtësisë autorët e sulmit të 24 shtatorit. Fakti që Vuçiç udhëtoi për në Pekin dhe jo në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe se ai injoroi BE-në e vendet fqinje, mund të shtojë gjithashtu presionin mbi të.
Sipas portalit serb, perëndimorët do të vëzhgojnë me kujdes sesa i besueshëm është Vuçiç. Nëse vërehet se ai nuk plotëson kushtet që kërkon BE dhe SHBA, mund të ketë edhe sanksione ndaj njerëzve të tij më të afërt. Parlamenti Evropian tashmë ka miratuar Rezolutën për Kosovën dhe kërcënoi me masa të mundshme ndëshkuese. Por, edhe Albin Kurti duhet të plotësojë kushtet e Perëndimorëve, nëse nuk dëshiron që BE të mbyllë vizat për qytetarët e Kosovës.
Sipas analistes Johanna Diemel, vetëm normalizimi dhe zbatimi i asaj që tashmë është diskutuar dhe rënë dakord do të ndihmojë të dy vendet në përparimin e mëtejmë.
“Çdo gjë tjetër do të thotë regres dhe qëndrim në një konflikt të ngrirë. Rritja e numrit të ushtarëve të KFOR-it në terren do të thotë më shumë siguri për Kosovën dhe, në të njëjtën kohë, një hap prapa për sa i përket sovranitetit të saj, si dhe rritje të pranisë së NATO-s në kufirin me Serbinë. Shumë gjëra janë në lojë - për Serbinë, për Kosovën, për rajonin. Gjithçka pritet ta shpalosë pesëshja diplomatike”, përfundon Diemel.
Nesër, më 21 tetor, pesë diplomat perëndimorë do mbërrijnë në Kosovë dhe Beograd, në përpjekje për të bindur Prishtinën dhe Beogradin të ulen në bisedime. /Zëri.ai/