DURRËS- Gjykata e Durrësit caktoi sot masën e sigurisë "arrest me burg" për 14-vjeçarin M.K., si dhe e vleftësoi të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë, i cili dy ditë më parë plagosi rëndë me thikë në zemër 15-vjeçarin E.B. Mësohet se në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, ndaj të miturit prokuroria ngriti akuza për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Dy të miturit 14 dhe 15-vjeçar, të dy nxënës të gjimnazit “Dom Nikoll Kaçorri”, u përfshinë dy ditë më parë në një sherr që ka degraduar deri në përdorimin e thikës. Pasi kanë debatuar dhe përplasur fizikisht, 14-vjeçari ka goditur me thikë bashkëmoshtarin e tij. Menjëherë pas ngjarjes, ai është arrestuar nga policia, ndërsa 15-vjeçari ndodhet në spital në gjendje ende kritike dhe i është nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale të menjëhershme.
Paraprakisht mësohet se konflikti ka nisur pas një komenti në rrjetet sociale. Sipas dëshmisë së autorit, të dy ata kishin kërkuar një takim “sqarimi” pas shkolle, i cili përfundoi në përplasje të dhunshme.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme 25 nëntor, ku 14-vjeçari ka plagosur me thikë një 15-vjeçar, duke i shkaktuar plagë të rënda. Autori i mitur është arrestuar, ndërsa i plagosuri vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në gjendje kritike. Në një reagim, spitali bëri me dije se i mituri ndodhet në reanimacion, ndërsa mjeku kirurg tregoi gjendjen kritike në të cilën ndodhet. Sipas mjekut, orët në vijim do të jenë vendimtare për gjendjen e 15-vjeçarit./ZËRI


