Aktualitet

Plagosja e efektivit të “Shqiponjave”, autori i rrezikshëm ende në liri

20 mijë euro shpërblim dha policia për qytetarët që kanë informacion për vendndodhjen e Bozhanajt, por deri tani nuk është bërë e mundur arrestimi i tij.

E.K
Plagosja e efektivit të “Shqiponjave”, autori i rrezikshëm
Polici i plagosur dhe autori

TIRANE- Kur kanë kaluar më shumë se 14 orë nga plagosja e efektivit të “Shqiponjave” Edlir Alleshi në Tiranë, policia nuk ka mundur dot ende që të vëjë në pranga autorin, Klered Bozhanaj. Për këtë të fundit, policia ka dhënë një shpërblim të majmë prej 20 mijë eurosh, për këdo që ka informacion  për vendndodhjen e tij, e cila deri tani mbetet e panjohur.

Mësohet se Alleshi i cili mori disa plumba në këmbë dhe bark, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua dhe një ndërhyrje kirurgjikale.

Të gjitha repartet e policisë u ngritën në këmbë menjëherë pas plagosjes së efektivit, por deri tani nuk është arritur arrestimi i autorit, që sipas drejtuesit të bluve të Tiranës, Tonin Vocaj është në gjendje depresive, dhe janë apeluar dhe qytetarët që të tregohen të kujdesshëm.

Dinamika e ngjarjes- Në orën 19.00 të pasdites së të mërkurës, efektivët e forcave "Shqiponja" ishin në ndjekje të një personi të armatosur. 42-vjeçari, i identifikuar si Klered Bozhanaj po ndiqej me motor nga efektivët e Policisë së Shtetit. Në një moment, ai ishte drejtuar për në banesën e tij, e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes në zonën e Porcelanit, por u ndalua nga efektivi. Pikërisht në atë moment, 42-vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit që kishte me vete dhe ka qëlluar mbi efektivin, më pas është larguar në drejtim të paditur.

Burime për "Zëri.ai" bënë me dije se 42-vjeçari nuk jetonte në Shqipëri, por prej kohësh ishte emigrant në Itali. Në vendin tonë ishte kthyer vetëm në muajin gusht, për arsye që ende nuk dihen. Po ashtu, nga të dhënat e deritanishme, autori i plagosjes, nuk ka precendentë të mëparshëm penalë në vendin tonë, por e shkuara e tij në Itali mbetet e panjohur. 

Policia është duke negociuar dhe me familjarë të Bozhanajt në mënyrë që ata të ndihmojë në dorëzimin e tij pranë autoriteteve. Ka indicie që ai të jetë parë duke lëvizur me këmbë në afërsi të zonës ku ndodhi plagosja, disa orë pas ngjarjes.

Deklarata e Vocajt- "Ai ka një dëmtim me armë zjarri. Shërbimet e policisë të drejtorisë së Tiranës, forcat speciale Renea dhe të gjithë forcat e policisë së republikës janë mobilizuar për kapjen e autorit, i cili quhet Klerent Bozhanaj 42 vjeç. Theksojmë se është i armatosur dhe ka shenja të theksuara të depresionit. Policia ve në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në kapjen e autori”.

Edhe ministri Balla në spitalin e Traumës- Përveç Tonin Vocajt, në ambientet e spitalit të Traumës për të parë gjendjen e efektivit Alleshi, ishte i pranishëm edhe ministri Taulant Balla, i cili i bëri thirrje autorit që të vetëdorëzohej, në të kundërt e prisnin pasoja të rënda. “Një gjë është e sigurt se ky guxim i madh për të gjuajtur me armë një punonjës policie, e për të mos iu bindur urdhrit të Policisë, do të marrë një goditje shumë të madhe nga Policia e Shtetit. Do të marri përgjigjen më të fortë. Thirrja ime për personin, apo familjarë të tij, se dua ta ndaj me mediat se personi është identifikuar, është të dorëzohet menjëherë, ndryshe do të ketë pasoja”, tha Balla.

Pavarësisht shumës së majme që është vënë në dispozicion nga policia, deri tani asnjë qytetar nuk ka dhënë indicie për vendndodhjen e Bozhanajt, ndërsa disa foto të tij janë shpërndarë qëllimisht nga blutë e Tiranës, me qëllim identifikimin e shpejtë./ZËRI.AI

Poll

MOS HUMB