Aktualitet

Plagosje në “Rrugën e Dibrës” në Tiranë, autori i dënuar për vrasje, ekzekutoi komshiun në 2011

Autori i plagosjes së djeshme në Tiranë, ka precedent të mëparshëm për vrasje. Në vitin 2011 ai la të vdekur shtetasin Ardian Salibasha, dhe plagosi rëndë vëllanë e tij, Edmondin

E.K
Plagosje në “Rrugën e Dibrës” në Tiranë,
Foto ilustruese

TIRANË- Një plagosje me thikë ka ndodhur ditën e djeshme në “Rrugën e Dibrës” në Tiranë, ndërsa policia ka vënë në pranga autorin, Roland Laçej. Ky i fundit rezulton i dënuar më parë për vrasje, pasi në vitin 2011 i mori jetën shtetasit Ardian Salibasha, dhe la të plagosur vëllanë e viktimës, Edmondin.

Personi i plagosur ditën e djeshme, shtetasi M.X, 48 vjeç, ndodhet në spital, sipas policisë jashtë rrezikut për jetën. Duket se Laçej pavarësisht dënimit me disa vite burg për vrasje, nuk i ka shpëtuar përfshirjes në ngjarje të reja kriminale, siç ishte dhe plagosja e djeshme.

Vrasja në vitin 2011 ndodhi pas një konflikti për motive pronësie mes Laçejt, dhe dy vëllezërve Salibasha, pasi ata jetonin në të njëjtën godinë banimi.

NJOFTIMI I POLICISË

Plagosi me mjet prerës, një 48-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari.

I arrestuari, me precedentë penal për vrasje dhe për vepra të tjera penale.

Sekuestrohet thika e dyshuar e përdorur për plagosjen. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dje, pas marrjes së njoftimit se në Rrugën e Dibrës, një shtetas ishte plagosur me mjet prerës, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga autori i dyshuar, shtetasi R. L., 51 vjeç.

Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin M. X., 48 vjeç, e ka goditur atë, me thikë. Shtetasi M. X. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika e dyshuar e përdorur për plagosjen.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB