Aktualitet

Plarent Ndreca do gjykohet me procedurë të zakonshme, GJKKO rrëzon kërkesën për moskompetencë

Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e tij për shpalljen e moskompetencës nga kjo gjykatë dhe kalimin për gjykim të çështjes në Gjykatën Penale të Tiranës.

zh.ll
Plarent Ndreca do gjykohet me procedurë të zakonshme, GJKKO
plarent ndreca

TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO)ka pranuar kërkesën e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, për t’u gjykuar me procedurë të zakonshme. Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e tij për shpalljen e moskompetencës nga kjo gjykatë dhe kalimin për gjykim të çështjes në Gjykatën Penale të Tiranës.

Me këtë vendim, Ndreca do të përballet i vetëm me një proces, ndërsa 15 zyrtarët e tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje do të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Ata akuzohen për shkelje gjatë procedurave të prokurimit publik në vitin 2019. Ndreca akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Për të njëjtën vepër penale akuzohen: Denisa Skënderaj, Blendi Kovi, Lira Kolasi, Ferdinant Tarazhi, Grida Isufi, Jonarda Qurku, Lindita Mukaj, Silva Dauti, Deni Klosi, Julia Hysa, Elora Kokalari dhe Aida Shehi. Ndërsa, për falsifikim dokumentesh akuzohen: Erand Majko Rroboçi, Klejdi Kujtim Meço dhe Emiliano Flamur Mehmeti.

Ndreca akuzohet se në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë kanë favorizuar Gjon Radovanin si përfitues i tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve. Sipas SPAK, deputeti socialist dhe zyrtarët e Ministrisë e kanë privilegjuar Gjon Radovanin në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit dhe në përfundim e kanë shpallur fitues dhe lidhur kontratë me bashkimin e Operatorëve ekonomikë, Derbi-E shpk, ndërkohë që nuk përmbushte kriteret ligjore. Radovani sikurse thuhet në dosjen e SPAK rezulton të jetë mik me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin ka shkëmbyer dhe mesazhe. E duket se për shkak të njohjeve dhe lidhjeve me titullarin e institucionit, kompania e tij ka fituar dhe tendera pranë ministrisë së Brendshme. /ZËRI

Poll

MOS HUMB