TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar lidhur me pengmarrjen dhe dhunimin e një 27-vjeçari në Tiranë, ku 2 persona janë arrestuar dhe 3 të tjera janë shpallur në kërkim. Mes tyre janë dhe dy vajza, Monika Marku dhe Suate Cenoaliaj. Kjo e fundit, sipas burimeve, kishte qenë në një lidhje dashurie me 27-vjeçarin dhe njëkohësisht edhe me njërin prej të arrestuarve, Lusjan Kimza.
Por cili ishte roli i secilit prej tyre në pengmarrje? Luzjan Kimza mësohet të jetë ideatori i pengmarrjes, i cili pasi ka zbuluar se e dashura e tij fliste me sms edhe me 27-vjeçarin, kanë rënë dakord që t’i bënin atij presion dhe t’i kërkonin para. Për këtë, është futur në lojë edhe vajza tjetër, Monika Marku, gjithashtu e shpallur në kërkim. Ajo ka pasur rolin e 'ndërmjetëses', e cila ka biseduar me 27-vjeçarin dhe kanë lënë vendtakimin për të pirë kafe.
Pesë të rinjtë kishin plaifikuar gjithçka në bashkëpunim. Monika Marku ka shkuar me 27-vjeçarin në një apartament, të cilin e kishin marrë me qira së bashku me të tjerët. Pasi kanë hyrë në apartament, menjëherë kanë dalë nga tualeti djemtë e tjerë dhe pasi dhunojnë të riun i kërkojnë atij shumën prej 5 mijë eurosh. Pas është mbajtur për disa orë peng, 27-vjeçari largohet dhe merr shumën e lekëve në shtëpi dhe ua jep grupit. Po ashtu ata i kërkojnë sërish shumën prej 5 mijë eurosh duke e shantazhuar dhe kërcënuar.
27-vjeçari ka pësuar dëmtime fizike për shkak të dhunës së ushtruar dhe është paraqitur në spital. Kanë qenë mjekët ata të cilët njoftuan më pas policinë, ndërsa i riu ka deklaruar detajet që bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, mësohet se dhënia e parave prej 5 mijë eurosh për herë të dytë u bë me anë të stimulimit për të identifikuar dhe arrestuar personat përgjegjës./ZËRI
