TIRANË-Sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”. Gjatë seancës Enver Diva, një nga të arrestuarit për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, ka ngritur akuza lidhur me publikimin e audiove të seancave gjyqësore të dosjes “Plumbi i Artë” ku flet bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani.
Diva shprehet se Top Channel e ka nxjerrë si vrasës me pagesë, ndërsa arsyeton se nuk ka të drejtë një media të japë materiale të tilla kur prezumohet i pafajshëm, pasi është në gjykim dhe nuk është dënuar. Para trupës gjykuese, i pandehuri ka theksuar se është i pafajshëm.
“Kam një kërkesë për Top channel që ka dhënë një emision dje, duke më nxjerr si vrasës me pagesë, dhe nuk ka të drejtë një media të japë materiale të tilla kur prezumohem i pafajshën, unë jam ku jam në gjykim, s’jam dënuar. Apo e keni shitur materialin, se Top Channel, Edi Rama e SPAK-u bashkë janë. Unë jam i pafajshëm, ju keni çuar kasetën atje”, tha Diva.
Në seancë mungoi i pandehuri Altin Ndoci dhe dy avokatët e tij, Elda Zotaj dhe Aldo Shkëmbi të zgjedhur prej tij dhe Pranvera Doçi e caktuar kryesisht. Gjithashtu edhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, u përfaqësua nga avokatët e tij. Procesi gjyqësor u shty për të martën në orën 10:00./ZËRI