TIRANË- Përmes një reagimi zyrtar Policia e Shtetit ka reaguar pas përdorimit të gazit lotsjellës pranë selisë së Partisë Demokratike, duke pretenduar se efektivët u sulmuan me molotovë nga një grup personash të maskuar.
Sipas Policisë personat u futën në ambientet e jashtme të selisë së PD-së për t’i shpëtuar ndjekjes ku vijuan sulmin ndaj punonjësve të uniformave blu. Policia thotë se iu përgjigj sulmit me gaz lotsjellës, ndërsa i cilëson pretendimet e tjera si të pavërteta dhe dashakeqe.
REAGIM I POLICISË SË SHTETIT
Nga patrullimet në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, sqarojmë se:
Shërbimet e Policisë janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të dhunshëm dhe të maskuar, të cilët, për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga ana e Policisë, u futën në ambientet e jashtme të selisë së subjektit politik Partia Demokratike dhe vijuan sulmin ndaj punonjësve të Policisë.
Shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës.
Të gjitha pretendimet e tjera janë të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe, me qëllim fshehjen e së vërtetës./ZËRI