TIRANË- Detaje të tronditëse janë zbuluar nga ngjarja në Fier, ku një 17-vjeçare u dhunua nga 3 bashkëmoshatare, një rast që ka tronditur opinionion publik. Por, rasti mori përmasa edhe më tronditëse, pasi u zbulua edhe përfshirja e një efektivi policie, i cili është pezulluar nga puna.
Gazetari Eraldo Harlica në emisionin "Top Story" zbuloi detaje të tjera pikërisht lidhur me përfshirjen e efektivit. Sipas gazetarit, vajzat e kanë ftuar efektivin e policisë në një hotel me pretendimin për të biseduar për situatën e krijuar. Por, sapo efektivi ka mbërritur në hotel, sipas gazetarit, dyshohet se vajzat i kanë bërë foto e video të cilat u përdorën për ta shantazhuar e për t’i kërkuar para.
Megjithatë, ky nuk rezulton të jetë rasti i parë dhe i vetëm. Gazetari zbulon se janë vërtetuar raste që këto vajza joshnin burra, i takonin në hotele ose në ambiente të ndryshme dhe më pas i fotografonin apo filmonin
"Polici ishte joshur nga vajzat, i kanë thënë që duam të flasim që të mos kishin probleme. Këto vajza e kishin thirrur dhe i kishin dhënë vendndodhjen e një hoteli, dhe aty i kanë bërë video dhe foto policit duke e shantazhuar. Dhe më pas i kanë kërkuar para duke e shantazhuar, nuk ka pasur marrëdhënie intime me sa kam dijeni, thjesht momenti që ka shkuar në hotel, madje i kanë marrë dhe lekë. Bashkë me të dashurit kishin rrjet shantazhesh dhe gjobash. Besoj se Prokuroria do të dalë me akuza të reja, sepse janë vërtetuar raste që këto vajza gjenin burra, i ftonin në hotele dhe pasi i fusnin në dhomë, bënin foto dhe i shantazhonin. Madje edhe në semaforë u futeshin në makina dhe bënin foto e video dhe i shantazhonin", u shpreh gazetari Eraldo Harlica.
Ditën e djeshme, në një konferencë për shtyp, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, bëri të ditur se në këtë çështje rezulton i përfshirë edhe një oficer policie. Në deklaratën e tij, Hita theksoi se efektivi nuk dyshohet se ka publikuar videon e dhunës, por ka cenuar rëndë figurën e Policisë së Shtetit, pasi ka krijuar një marrëdhënie të papërshtatshme me të miturat. Efektivi në fjalë, i përshirë në ngjarje, është pezulluar nga detyra./ZËRI