TIRANË- Bashkia e Tiranës ka vendosur shtyrjen e afatit për aplikimin e qytetarëve për kredi të buta, pas njoftimit të portalit “e-Albania” që do të jetë jashtë funksionit për 4 ditë, në datat 15-18 maj.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, bëri me dije vendim në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak. Ristani deklaroi se afati i ri për aplikimet do të jetë data 22 maj, ndërsa fillimisht procesi ishte parashikuar të mbyllej më 19 maj.
Ristani theksoi se nëse lind nevoja për shtyrje të mëtejshme të afatit, kjo do të bëhet, në mënyrë që asnjë qytetar të mos mbetet jashtë programit për shkak të problemeve teknike.
“Siç jeni në dijeni, Bashkia e Tiranës ka nisur procesin e aplikimit për kredi të buta për vitin 2026. Procesi ka nisur më 20 prilli dhe është parashikuar të zgjasë deri më 19 maj. Aplikimet kryhen online përmes portalit ‘e-Albania’. Deri më sot që flasim, janë kryer 2600 aplkime. Por, sipas një njoftimi të portalit ‘e-Albania’ dhe sipas problematikave që ka pasur, të gjitha ditët që do të jenë të pamundura për funksionim që janë njoftuar nga data 15-18 maj, do të zëvendësohen dhe afati i ri për momentin është data 22 maj.
Por nëse do të ketë nevoja të tjera për shtyrje të afatit do të adresohen. Kjo është për të thënë që asnjë qytetar që do përpiqet të bëhet pjesë e këtij programi nuk do të pengohet nga këto probleme teknike dhe do të kompensohen me kohën e përshtatshme për çdo ditë që E Albania nuk do të funksionojë”, theksoi Ristani.
Për 4 ditët në vijim, e-Albania do të jetë përkohësisht jashtë funksionit në kuadër të përditësimit të portalit. Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare, bëhet me dije se shërbimet nuk do të mund të aksesohen nga data 15 maj në orën 22:00 deri më 18 maj në orën 08:00./ZËRI
