
TIRANË- Për herë të dytë Arben Ahmetaj është marrë i pandehur nga SPAK në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, ku Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-numrin 2 të qeverisë për disa vepra penale, përfshirë pastrimin e parave, fshehjen e pasurisë, si dhe korrupsionin në 6 raste.
Kjo është hera e dytë që SPAK merr të pandehur Arben Ahmetajn, pas privatizimit të ish-shoqërisë shtetërore Buka. Por pavarësisht hetimeve dhe dërgimeve të dosjeve në Gykatë nga ana e SPAK, Ahmetaj ndodhet në arrati që prej afro një viti, dhe më gjasë nuk do të përballet asnjëherë me drejtësinë shqiptare.
Precedenti ‘Buka’, a do të pezullojë sërish GJKKO procesin?
Pasi u mor i pandehur në Dhjetor për dosjen ‘Buka’, GJKKO vendosi në Shkurt të këtij viti pezullimin e procesit për Ahmetaj, për shkak se socialisti ndodhej në mungesë.
Në rastin Buka, GJKKO vendosi se gjykimi i ish-ministrit të Financave dhe ish-zv.kryeministrit nuk mund të bëhet në mungesë, edhe pse avokatët kanë prokurë të përgjithshme. Sipas kësaj gjykate ata nuk kanë tagër përfaqësimi. Me këtë vendim të GJKKO, të marrë në muajin Shkurt, hapet precedenti që i njëjti vendim të merret për dosjen e inceneratorëve.
Në këtë linjë, GJKKO mund të përdorë të njëjtin arsyetim dhe për dosjen e inceneratorëve në rastin e Ahmetajt, ndërkohë që në kërkim për të njëjtën çështje mbeten dhe Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoton.
Prej verës së vitit të kaluar, Arben Ahmetaj ndodhet në arrati, në shtetin zvicerian, ku ka nisur dhe procedurat për marrjen e azilit./ZËRI