
TIRANË- Mbrëmjen e djeshme është folur në një emision televizi, për një ngjarje të mistershme të ndodhur në Tiranën e viteve 70, ku disa foshnje kanë humbur jetën në mënyrë të mistershme në maternitet.
Pastori Akil Pano, në një intervistë për emisionin “Quo Vadis”, tha se në mesin e bebeve që u shpallën të vdekura atë natë nga spitali ishte dhe vëllai i tij. Sipas tij, e ëma i ka rrëfyer se pas lindjes beben e ka ushqyer me gji, dhe i është dukur i shëndetshëm, por pak më vonë spitali e shpalli atë të vdekur bashkë me të gjitha bebet që lindën atë natë, pa dhënë asnjë shpjegim.
Pastori tha se spitali nuk u dha prindërve as trupat e fëmijëve për t’i varrosur dhe se ka dyshime se ata mund të jenë vrarë për transplant organesh, apo transfuzion gjaku për një person të pushtetshëm asokohe, duke iu referuar diktatorit Enver Hoxha.
“Ime më martohet me Forin dhe lindi një djalë i cili jeton rreth 1 muaj e gjysmë dhe vdes, një vdekje e pashpjegueshme dhe e papritur. Mamaja ime ngel shtatzënë sërish, shkon në maternitet të lind fëmijën e dytë, ishte djalë, lindi djalë…. e ushqen me gji, fëmijë i shëndetshëm. Mirëpo atë mbrëmje në maternitet deklarohen të vdekur të gjitha bebet që kishin lindur atë ditë”, ka treguar Pano.
“Ky është një mister që unë nuk kam mundësinë për ta investiguar, kam dëgjuar dhe dikë tjetër që në një emision televiziv përmend diçka të tillë, dhe mendoj që ai përmend të njëjtin rast. Mamaja ime kërkoi detaje dhe nuk iu dhanë detaje, jo vetëm mamasë time por të gjitha nënave që lindën atë mbrëmje në maternitet nuk iu dha mundësia që të merrnin trupin e vdekur të fëmijës së tyre për ta varrosur. Pra trupat e fëmijëve të vegjël mbetën në maternitetin e Tiranës”, u shpreh ai.
Kur u pyet nëse ishin 100% të bindur që fëmijët ndërruan jetë, pastori Akil Pano tha:
“Madje ka pasur edhe pikëpyetje që fëmijët mund të jenë vrarë, mund të jenë marrë organet, por mund të jetë marrë gjaku i tyre për të bërë transfuzionin e gjakut të një njeriu të pushtetshëm në atë kohë”.