Aktualitet

Paralajmëron Dumani: Do të konfiskohet pasuria e një ish-funksionari të lartë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani listoi disa pika të rëndësishme gjatë raportimit të tij.

k.m.
Paralajmëron Dumani: Do të konfiskohet pasuria e një
Altin Dumani

TIRANË- Altin Dumani, kreu i SPAK, paralajmëroi sot se pasuria e një ish-funksionari të lartë të drejtësisë shqiptare, do të konfiskohet. Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Integrimit, Dumani rreshtoi arritjet e SPAK, dhe tha se janë 4 vendime për sekuestro, një prej tyre për një ish-funksionar, por nuk dha detaje për postin apo identitetin.

"Vëmendje ka marrë identifikimi dhe sekuestrimi i vlerës së produktit veprës penale me qëllim final konfiskimin e pasurive të vëna nga vepra penale e korrupsionit. Janë dhënë katër vendime për sekuestro preventive të pasurisë në kuadër të Kodit Penal, duke shënuar një rritje me 33 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Është dhënë edhe një vendim konfiskimi i pasurisë të një ish-funksionari të lartë, që është ish–funksionari i drejtësisë, pasuri të konsiderueshme. Kjo do të vazhdojë të jetë,"-tha Dumani.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Dumani preku një sërë çështjesh, duke u ndalur fillimisht tek kompetencat e Strukturës së Posaçme që ai drejton. Së pari, Dumani kërkoi ndryshimin e kufirit 50 mijë lekësh që është në ligj. Pra, nuk duhet të mjaftojë që një çështje të ketë kufirin e korrupsionit prej 50 mijë lekëve të reja, që të hetohej nga SPAK.  

“SPAK duhet të fokusohet vetëm në çështjet e korrupsionit të madh, ndaj kemi vendosur një limit. Shuma prej 50 mijë lekësh është një kufi që na ngarkon më shumë dhe besoj se prokuroritë e tjera mund të ushtrojnë ndjekjen penale për këto raste. Ne kemi pasur konkluzionin që ky kufi minimal duhet të jetë më i lartë,”-u tha ai deputetëve, duke kërkuar ndryshime ligjore.

Megjithatë sekuestrimi i pasurisë ndaj një ish-zyrtari të drejtësisë nuk do të jetë i vetmi që do bjerë në "rrjetën" e SPAK. Dumani tha se nën hetim janë dhe funksionarë të lartë pulikë. Pa përmenduar emra, Dumani u shpreh se ish-ministër, një ish-zëvendësministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 sekretarë të përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë, 1 ish-prokuror, janë nën hetim. Se për cilët bëhet fjalë, e se për cilat dosje do të ndiqen penalisht, ose më keq do të prangosen, ende nuk ka një përgjigje. 

"Për periudhën nga 1 Janari 2023 e deri më 30 Shtator 2023 janë regjistruar 151 procedime penale me 133 persona nën hetim. Nga këto, nën hetim janë gjithsej 13 procedime penale me 15 persona persona nën hetim, ish-funksionarë të lartë publikë publikë, ku përfshihen dhe ish-funksionarë të drejtësisë, si më poshtë: 1 ish-ministër, 1 ish-zëvendësministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 sekretarë të përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë, 1 ish-prokuror. 4 prej tyre kanë qenë ish-funksionarë të drejtësisë, nga të cilët 1 person rezulton të jetë i shkarkuar nga KPK-ja. Janë regjistruar dhe 7 procedime penale për 9 persona, ish-funksionarë të Policisë së Shtetit. Numri i procedimeve penale të regjistruar për funksionarë të Policisë së Shtetit është rritur me 75%,"-shtoi Dumani.

Disa herë në fjalën e tij, kreu i SPAK bëri të qartë se s'mund të fliste për çështje konkrete dhe për hetime që ishin në zhvillim. Por megjithatë kërkoi nga Kuvendi shtimin e punonjësve në Prokurorinë e Posaçme./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB