
TIRANË- Privatizimi i pronave shtetërore është kthyer në një "thembër të Akilit" për zyrtarët shqiptarë, të cilët po u tunden prangat për shkak të akteve që kanë ndërmarrë kur në dorë kanë pasur pushtetin. Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është i fundit që ka rënë në rrjetën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i vendit, një prej personave politikë më të pushtetshëm që ka pasur vendi, akuzohet për korrupsion pasiv dhe si pasojë i është ndaluar të udhëtojë jashtë vendit pasi akuzohet për korrupsion pasiv gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. Megjithatë nuk është i vetmi (ish) zyrtar i lartë që është kapur në abuzim me pronat shtetërorë që shumë herë kanë “kaluar” tek privatët, gjithmonë në dëm të shtetit. Në proces, po ashtu si Berisha, janë edhe ish-zv.kryeministri i vendit Arben Ahmetaj dhe po ashtu, ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Më poshtë, “Zëri.ai” ka listuar disa prej dosjeve më të bujshme të privatizimit që po hetohen aktualisht nga struktura më e re e drejtësisë.
Deri më tani, ka vetëm të marrë në pyetje dhe të akuzuar, por a do ketë dënime?
DOSJA 'PARTIZANI'
Kompleksi sportiv “Partizani”, me një sipërfaqe prej 26 mijë metrash katrorë, u privatizua në vitin 2008, deri në atë kohë ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Rreth 22 mijë metra katrorë i përkisnin 64 trashëgimtarëve të pesë familjeve të ish-pronarëve, mes tyre edhe Jamarbër Malltezi, ndërsa 4 mijë metra katrorë të tjerë ishin pronë shtetërore. Në fund të procesit të kthimit të kësaj prone, Jamarbër Malltezi arriti të marrë 35 % të të gjithë pronës, duke përfshirë këtu edhe pjesën që ishte tokë shtetërore. Sipas padisë së dorëzuar në SPAK, kjo është bërë përmes vendimeve të dyshimta të Qeverisë së Sali Berishës. Në atë sipërfaqe të përfituar, Jamarbër Malltezi së bashku me ortakun e tij Fatmir Bektashi, kanë ndërtuar disa kulla.
Për këto ndërtime, në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori, theksohet se nuk dihet burimi i të ardhurave. Për këtë çështje janë thirrur në SPAK disa ish-ministra të Mbrojtjes dhe të Ekonomisë nga Qeveria e atëhershme e Berishës. Ish kryeministri Sali Berisha, dhe familja e tij, përfshirë edhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) nga Shtetet e Bashkuara, nën dyshimet se janë të përfshirë në korrupsion të lartë dhe cenimit të demokracisë.
DOSJA 'BUKA'
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë për të dytën herë të pandehur Arben Ahmetajn, ish-zv.kryeministrin që ndodhet në kërkim ndërkombëtar për inceneratorët. SPAK thotë se ka shpërdoruar detyrën në lidhje me privatizimin e ish-fabrikës së bukës në vlerë dëmi 7 miliard lekë. Zëri.ai ka siguruar një pjesë të dosjes së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me shitjen e aksioneve të kompanisë "Buka sh.a", për të cilën është ngritur një akuzë ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Në dosjen e publikuar nga "Zëri.ai", hetuesi i SPAK shkruan në dosjen e përpiluar se janë administruar në fashikullin hetimor, komunikimet në ËhatsAPP mes Arben Ahmetajt dhe Lirim Fezollarit, madje kanë shënuar orën dhe datën e komunikimit. Sipas SPAK, këto mesazhe përkojnë me kohën e shitjes së aksioneve të kompanisë. Ndërsa dokumentet e publikuar nga Ahmetaj përfshijnë vlerësimin që eksperti kontabël ka bërë për këtë shoqëri dhe dokumentet që vetë Ahmetaj ka firmosur si ministër. Ai thotë se privatizimi në fjalë i rriti aksionet e shtetit dhe nuk i uli ato, ndërkohë që SPAK nga ana tjetër pretendon se Ahmetaj i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 7 miliardë lekësh. Prona në fjalë i është njohur prej vitit 1994 nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, familjes Myderzi. Por përmes një procedure ankandi të hapur në 2014, përfitues i aksioneve shtetërore të kompanisë është bërë biznesmeni Lirim Fezollari. Ky i fundit përmes disa procedurave ankandesh, në kohë të ndryshme ka arritur ta marr pronen.
AGJENSIA LUNDËR-Privatizim apo park publik lojrash?
Ndryshe nga të gjitha rastet e tjera, në Lundër po ndodh e kundërta. Siç u zbuluar nga raporti i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, tokën e familjes Teqja, nuk e ka marrë një privat, edhe pse fillimisht është tentuar që toka të shitej 2 herë rresht me kontratë të parashkruar. “Zëri.ai” ka zbuluar në fakt se edhe pse toka ishte e shitur (tek ofertuesi i dytë) tek një subjekt privat (detajet e kontratës janë zbuluar nga redaksia e Zëri.ai), pati ndërhyrje nga ana e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pretendimi është se në një hapësirë rreth 95 mijë metra katrorë të Rezervave të Shtetit në Lundër, do të ndërtohet një kompleks argëtimi për të gjithë zonën e kryeqytetit. Aq i rëndësishëm është ky kompleks, saqë sipas raportit të plotë që publikoi “Zëri.ai”, brenda një dite ishin firmosur disa shkresa që vendosën kalimin e pronësisë, me argumentin se do të ndërtohet aty një kompleks argëtimi sportiv. Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, brenda një dite, kanë miratuar shkresa, në bazë të të cilave është miratuar tjetërsimi i truallit me synim privatizimin e tij. Të gjitha komunikimet në rrugë zyrtare kanë ndodhur për një ditë. Ndaj edhe KLSH që ka audituar procedurat, ka ngritur dyshime, duke argumentuar se institucionet nuk kanë marrë kohën e duhur, për të vlerësuar situatën dhe kthimi i shpejtë i përgjigjes, mund të ketë shpërfillur rëndësinë që situata kishte. Ndërkohë që ende nuk dihet nëse deri në fund, kjo hapësirë që do të administrohet (të paktën deri më tani kështu pretendohet) nga FSHZH, do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit edhe pas investimit? Apo më kalimin e viteve do të shitet tek një subjekt privat?
PRONAT E USHTRISË
Ish-zëvendëskomandanti i flotës detare Artur Meçollari ka akuzuar në mars të 2021 të gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë edhe ish-ministren e Mbrojtjes aso kohe, Olta Xhaçka dhe Presidentin Begaj, asokohe Komandanti i Forcave të Armatosura. Denoncimi nga ana e Meçollarit u bë për dy prona, një në Shëngjin dhe një në Sarandë të cilat sipas tij janë dhënë pa leje i janë dhënë privatit. Pasi SPAK ka verifikuar këto të dhëna ka marrë në pyetje dhe ka nisur hetimet. I pranishëm ka qenë edhe vetë Meçollari. Në pyetje është marrë edhe gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. Më 11 mars, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për vënien nën sekuestro preventive të “Bazës Ndihmëse, Limion, Sarandë”, një bazë e Forcave Detare, pronë e ushtrisë shqiptare e cila në korrik të viti 2020, me vendim të qeverisë, i është dhënë me qira, si pjesë e një territori shumë më të madh, prej mbi 265 mijë metrash katrorë, bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës. Atje parashikohet ndërtimi i një kompleksi hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të ofrojë mundësinë për ankorim të 400 anijeve.
Të gjitha këto procedura, në detaje kanë një emërues të përbashkët. Spikat fakti që i gjithë aparati shtetëror, në raste të ndryshe, është vënë në shërbim të një çështje që në çdo rrethanë tjetër, do të donte muaj dhe ndoshta vite kohë për t’u shqyrtuar./Zëri.ai