Aktualitet

Probleme nga dëbora edhe në juglindje, fshatrat pa energji elektrike

Në Njësinë Administrative Çlirim të Kolonjës, fshatrat Kurtës, Selenicë, Pishës, Qesarakë, Kaltanj, Blush, Psar i Zi dhe Orgockë mbeten të bllokuara për shkak të trashësisë së madhe të dëborës.

F.I
Probleme nga dëbora edhe në juglindje, fshatrat pa energji elektrike
PAMJE NGA VENDNGJARJA

KORÇË-Reshjet e dendura të dëborës në jug-lindje të vendit kanë shkaktuar izolimin e disa fshatrave në Bashkinë Kolonjë dhe zona përreth. Në Qarkun e Korçës gjatë natës ka patur reshje të dobëta dëbore të shoqëruara me erë të fortë në disa zona të cilat kanë mundësuar përqendrimin e dëborës në rrugë e vende të ndryshme, temperaturat kanë shkuar deri në -7 gradë, kryesisht në zonat malore.

Në Njësinë Administrative Çlirim të Kolonjës, fshatrat Kurtës, Selenicë, Pishës, Qesarakë, Kaltanj, Blush, Psar i Zi dhe Orgockë mbeten të bllokuara për shkak të trashësisë së madhe të dëborës.

Gjithashtu, probleme me furnizimin me energji elektrike raportohen në fshatrat Radanj, Gërmenj, Vrepskë, Sotirë dhe Podë në zonën e Leskovikut, si dhe në fshatin Mbreshtan pranë Ersekës.

Situata paraqitet e rënduar edhe në Bashkinë Pogradec, ku fshatrat e Njësive Administrative Dardhas, Velçan, Trebinjë dhe Proptisht janë të izoluara. Trashësia e dëborës në këto zona ka arritur deri në 40 centimetra. Probleme me rrugët dhe energjinë elektrike raportohen edhe në fshatrat e Njësive Administrative Lekas dhe Vithkuq, si dhe në Devollin e Sipërm.

Autoritetet lokale dhe ekipet emergjente vijojnë punën për zgjidhjen e problemeve dhe rikthimin e normalitetit në këto zona të prekura nga moti i ftohtë./ZËRI

Poll

MOS HUMB