
TIRANË- Kushdo që dëshiron të veshë uniformën e Policisë së Shtetit, duhet të kalojë ‘filtrin’ e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. EuroNews shkruan se SPAK do të verifikojë çdo aplikues, nëse është nën hetim apo jo, përpara se të marrë konfirmimin për tu bërë pjesë e uniformave blu. Ky është vetëm një ga filtrate që duhet të kalojnë të rinjtë, pasi gjithashtu duhet të marrin dhe një sërë vërtetimesh nga prokuroritë dhe gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm.
Kjo është një masë që është marrë ndërkohë që efektivë të shumtë policie janë vënë në pranga pas përfshirjes së tyre në grupe kriminale dhe jo vetëm. I fundit që u vu në pranga ishte Kastriot Palushi, që kishte marrë rushfet për ta lehtësuar një qytetar nga një kallëzim që i ishte bërë. Të tjerë kanë dalë dhe në përgjimet e SKYECC, përmendim këtu Oltion Bistrin, ish-shefin e Operacionales që ndodhet pas hekurave.