Aktualitet

Projekti cënoi pronën e një qytetari, SPAK dënon me 1 vit burg ish-kryetaren e Bashkisë Libohovë

Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila e shpalli fajtore Mandin për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

k.m.
Projekti cënoi pronën e një qytetari, SPAK dënon me 1 vit
Luiza Mandi

TIRANË- Luiza Mandi, ish-kryetarja e Bashkisë së Libohovës është dënuar me 1 vit burg. Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila e shpalli fajtore Mandin për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Por vendimi u dha në mungesë të ish-kryebashkiakes, e cila ndodhet jashtë vendit. 

Mandi u kallëzua në SPAK nga një qytetar, i cili pretendonte se në pronat e familjarëve të tij bashkia po zhvillonte një projekt për zgjerim rruge. “Alba Kosntruksion” ishte firma e cila kishte marrë përsipër zhvillimin e projektit. Personi që ka kryer kallëzimin raportohet se ka komunikuar vetë paraprakisht me kryetaren e bashkisë dhe përgjegjësin e urbanistikës, të cilët i kanë thënë, se sapo të përfundojë projekti do të riparonin dëmet e shkaktuara në tokat e tij. Gjithashtu i kishin premtuar se do të pastronin edhe dherat dhe inertet që ishin hedhur.

Por, pasi "Alba Konstruksion" ka përfunduar punimet, denoncuesi ka konstatuar se muri rrethues nuk ishte ndërtuar në cilësinë e duhur, dhe se ndërtimi ishte shtrirë edhe në sipërfaqe të tjera të tokave në pronësi të tij. Në këto kushte Prokuroria e Posaçme ka nisur punën hetimore, ku ka sekuestruar projektin në fjalë dhe është konstatuar se ishte cënuar pronësia e familjes nga Libohova. Sipas shkresave gjatë zhvillimit të projektit në fjalë nuk është zbatuar procedura e shpronësimit çka ka sjell dhe dëm ekonomik të familjes kallëzuese në një vlerë prej 362,480 lekë./ZËRI

Poll

MOS HUMB