
BRUKSEL- Një delegacion fermerësh do të pritet të hënën (26/2) nga Presidenca belge e Këshillit të BE-së dhe nga Komisioni Evropian, pas takimit të Ministrave të Bujqësisë të BE-së, në ndërtesat e Këshillit, njoftoi Presidenca belge. Në të njëjtën kohë, rreth 300 traktorë janë mbledhur jashtë ndërtesës së Këshillit të BE-së ku po mblidhen ministrat e Bujqësisë së BE-së, ndërsa gjithsej 900 traktorë kanë paralizuar kryeqytetin belg.
Masat për thjeshtimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) po diskutohen në Këshillin e Ministrave të Bujqësisë, në pritje të një grupi të dytë propozimesh në mars për pagat e fermerëve, nënvizoi ministri belg, David Clarnival, pas mbërritjes së tij.
Rrugët e Brukselit pranë sheshit Schuman i ngjajnë një fushëbeteje. Fermerët, shumë më të zemëruar këtë herë se demonstrata e mëparshme e 1 shkurtit, po djegin goma dhe kashtë, ndërsa hedhin pleh organik, mandarina dhe vezë ndaj policisë që ka ngritur barrikada, duke i penguar ata të hyjnë në ndërtesën e Këshillit. Më herët në mëngjes pati tension kur fermerët me traktorë thyen barrikadën e policisë dhe autoritetet u përgjigjën me topa uji.
Protestat e fermerëve në të gjithë Evropën
Së bashku me fermerët belgë, sot protestojnë sindikatat nga Spanja, Portugalia, Italia dhe Gjermania, sipas shtypit belg. Ndër kërkesat kryesore të fermerëve, për të cilat ata thonë se ende nuk janë dëgjuar, janë:
të ardhurat e drejta,
reduktimi i barrës administrative,
përfundimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë me vendet që nuk ndjekin të njëjtat rregulla (p.sh. Mercosur)
rritja e buxheti për Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP).
"Ka hapësirë për modifikime brenda rregullave aktuale," tha ministri francez Marc Fesnot pas mbërritjes së tij në Bruksel.
“Ka shumë zemërim për premtimet e thyera, kjo është një mundësi për reforma shumë të nevojshme, CAP aktual është një ‘’përbindësh’’ burokratik. Puna në fusha dhe jo burokracia duhet të jetë rend i ditës”, tha ministri gjerman Cem Ozdemir./ZËRI