
TIRANË-Teksa pak orë nga protesta e thirrur nga Partia Demokratike, në vendin ku do të zhvillohet tubimi duket se gjithçka është gati. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është duke u montuar podiumi, në të cilin demokratët do japin mesazhet e tyre për qytetarët.
Që prej orëve të para të mëngjesit është bllokuar qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa dera e Kryeministrisë edhe këtë herë është veshur me mburojë metalike. Efektivët kanë vendosur kamera në shtylla dhe megafonë, për t’iu bërë thirrje protestuesve në rast incdidentesh. Gjithashtu, edhe shtyllat janë lyer me graso.
Tubimi i thirrur nga opozita pritet të nisë në orën 17:00 dhe do të zgjasë deri në 20:00. Policia e Shtetit ka marrë masa për të menaxhuar protestën, duke bllokuar disa nga akset që të çojnë drejt bulevardit. Në terren do të jenë rreth 1200 efektivë, përfshirë RENEA dhe FNSH./ZËRI