
TIRANË- Kompania “Wizz Air” nuk ndalet duke krijuar probleme. Përveç vonesa disa orëshe dhe anulimeve të fluturimeve, paragjerët tashmë po përballen edhe me kërcënime. Denoncimet e qytetarëve, si duket nuk po kalojnë pa u parë nga kompania, por në vend të reagimit për vonesat apo problemet me fluturimet, 'Wizz Air', po shantazhon udhëtarët.
Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar së fundmi ku një qytetare e cila kishte zgjedhur më 17 korrik linjën e Wizz Air nga Genoa në Tiranë, është kërcënuar nga punonjësit e kompanisë. Qytetarja ka rrëfyer se është kërcënuar, pas një video të publikuar nga vetë ajo ku po tregonte se çfarë ishte duke ndodhur në avionin e kësaj kompanie ku udhëtarët po mbaheshin “peng” për më shumë se një orë. Në rasitn e denoncuar, kompania në fjalë kishte shitur më shumë bileta, sesa kapaciteti i avionit.
“Më 17 korrik kishte nja fluturim nga Genoa në Tiranë me Wizz Air. Unë regjistrova një video pas një vonese që kishim me avionin dhe ia dërgova një portali. Cabin crew më identifikoi nga videoja edhe më keqtrajtuan. Domethënë nuk mbajtën privatësinë time në momentin që e identifikuan që kisha bërë video. Edhe mund të them që më kanë bullizuar. Mua edhe familjen time që isha me prindërit e mi, isha edhe me një shoqe. Kur hipa, kompania kishte bërë overbooking me dy vende plus kështu që na lanë të presim 1 orë, 1 orë e gjysmë në avion. Gjatë udhëtimit punonjësit vazhduan të vijnë tek unë, të më pyesin t'iu jap pasaportën për të kompiluar një letër. Unë refuzova ta jap. Edhe më thanë "okej pra kur të zbresim do vijë Policia". U thashë ok. Pasagjerët na kanë sulmuar neve. Kërkoj drejtësi për këtë situatë që mos ndodhin më situata të tilla me qytetarë të tjerë”, ka thënë qytetarja për emisionin “Stop” në Tv Klan.
Mbishitja e biletave nga kompanitë ajrore shpesh krijon problematika dhe tensione të shumta mes stafit dhe pasagjerëve. Kompania Wizz Air, e cila është një prej kompanive low cost që operon në Shqipëri, është një prej më të kritikuarave nga ana e udhëtarëve, për shkak të vonesave të shumta me fluturimet nga linja të ndryshme./ZËRI