
PRISHTINË – Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për të dhuruar 50 mijë euro mbështetje për familjen e rreshterit të vrarë në Banjskë të Zveçanit, Afrim Bunjaku.
Kurti tha se vetëflijimi i Bunjakut është një sakrificë shumë e madhe për atdheun. Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Kurti po ashtu në mbledhje deklaroi se është cënuar siguria dhe sovraniteti territorial i Republikës së Kosovës. Ai shtoi se grupet terroriste kanë cenuar rëndë rendin në vend. Albin Kurti vlerësoi se vlera e armatimit që posedonte grupi terrorist ishte 5 milionë euro.
“Me mbi 5 milionë euro vlerë e armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”, tha Kurti. Kryeministri tha se në sulm janë të përfshirë individë të sanksionuar nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuara për aktivitetet kriminale.
Kreu i Qeverisë tha se terroristët janë në kërkim të institucioneve të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. “Ata shfaqen në krahë në një tryezë në Rashkë e në Beograd përkrah Aleksandër Vuçiç. Roli i shtetit serb në këtë mes nuk ka diskutim”, u shpreh Kurti.
Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës të dielën e 24 shtatorit, gjatë një sulmi terrorist serb në Banjskë të Zveçanit në Kosovë.
Pas thirrjeve për dorëzim e mospranim nga ana e terroristëve, Policia e Kosovës është kundërpërgjigjur, duke vrarë së paku tre serbë dhe plagosur disa të tjerë. Në mesin e terroristëve ishte edhe Milan Radoiçiç, nënkryetari i Listës Serbe. Kurti tha se Vuçiç e ka përgatitur gjithë skenën, pasi dhe në Bruksel i kishte thënë se “Radoiçiç do të jetë Adem Jashari i serbëve”. /Zëri.ai/