Aktualitet

Qytetarët e Fierit protestojnë para Kadastrës: Kemi 30 vite që presim çertifikatën e pronësisë

Ata shprehen se nënpunësit i nxjerrin probleme dhe i kërkojnë dokumente vetëm për t’i vonuar procesin.

I.F
Qytetarët e Fierit protestojnë para Kadastrës: Kemi 30 vite
Protesta e qytetarëve

FIER- Dhjetëra qytetarë janë mbledhur ditën e sotme pranë Kadastrës së Fierit për të protestuar procedurat zvarritëse që kaën zgjatur për disa vite, për t’u pajisur me çertifikatë pronësie. Qytetarët janë shprehur se është e papranueshme që të aplikojnë dhe të paguajnë taksat, por të mos gjejnë asnjë rezultat nga instuticionet përkatëse. Ata shprehen se nënpunësit i nxjerrin probleme dhe i kërkojnë dokumente vetëm për t’i vonuar procesin.

“Kam 20 vjet që kam aplikuar për legalizimin e shtëpisë dhe po pres të marr certifikatën e pronësisë. Kam bërë dy takime me drejtorin; na ka pritur, ka thirrur nënpunësit dhe ka thënë që dosja të vazhdojë sepse është në rregull. Tani këta nënpunësit na nxjerrin probleme të tjera. Na kërkojnë një shkresë dore, vetëm për të na sorollatur. Zvarritje është patjetër. Ja ku është vetëdeklarimi origjinal i vitit 2004. Jemi përmbytur dhe janë fshirë pak vulat origjinale, dhe tani këta na ngrenë një problem tjetër. Ai më thotë se si ky dokument mund ta nxjerr sa herë të dua, por si mund ta nxjerr unë një dokument të tillë sa herë të dua, kur kjo është origjinalja e vitit 2005. Çdo procedurë dhe çdo tarifë e kam paguar në bankë dhe pres të marr certifikatën sipas ligjit të shtetit shqiptar. Për një copë letër kam ardhur këtu. Është gjynah që në vitin 2012 kam bërë aplikimin për tokën bujqësore në Libofshë. Pale për shtëpinë që nuk e kemi bërë fare. Nuk e di pse nuk del. Nëse kanë vënë kalamaj aty që pinë kafe dhe hanë byrek, le të vënë zanatçinj e ta zgjidhin. Unë jam më i vjetri i lagjes, që nga ’33-shi. Kam sjellë dokumentet e shtëpisë. Vij këtu dhe ngre duart përpjetë. Kanë bërë 7 herë matje. “Do të vijmë,” thonë. Unë kërkoj vetëm të zbatohet ligji. Kanë ardhur nga ana e anës të tjerët dhe janë bërë me dokumente. Unë, më i vjetri i lagjes, jo”, thonë qytetarët.

Një tjetër qytetar shprehet se ka më shumë se 30 vite për të marrë çertifikatën e pronësisë.

“30 vjet këtu. Kam bërë 18 dynymë me certifikatë pronësie dhe pjesa tjetër është keq me kufizimet, nuk ka hartë”, shprehet ai. /ZËRI

Poll

MOS HUMB