Aktualitet

Raporti i DIA: Mafia italiane lë mënjanë rivalitetet, në kërkim të partneriteteve! Mbështetjen e gjen tek shqiptarët

Raporti thotë se Cosa Nostra siciliane dhe Camorra napolitane po krijojnë aleanca brenda dhe jashtë vendit, ndërsa Ndrangetta - me 'seli' në Kalabri - po përqendrohet gjithnjë e më shumë në kontrollin e punëve publike dhe tenderat që marrin nga shteti.

k.m.
Raporti i DIA: Mafia italiane lë mënjanë rivalitetet, në
DIA

ITALI- Mafia italiane po braktis praktikën e konflikteve të armatosura për të fituar terren, duke kërkuar tashmë partnerë të denjë, si në trafikun e drogës, ashtu edhe në rrjetet e prostitucionit dhe pastrimit të parave. Ky detaj është nënvizuar nga Drejtoria e Hetimit Antimafia (DIA) në raportin e saj vjetor të publikuar sot. Raporti thotë se Cosa Nostra siciliane dhe Camorra napolitane po krijojnë aleanca brenda dhe jashtë vendit, ndërsa Ndrangetta - me 'seli' në Kalabri - po përqendrohet gjithnjë e më shumë në kontrollin e punëve publike dhe tenderat që marrin nga shteti.

"Bashkëjetesa ka kultivuar sinergji që janë zhvilluar gradualisht dhe tani janë të afta të fshijnë tensionet dhe fërkimet për më shumë fitime,"- tha kreu i DIA-s, Michele Carbone, në një konferencë për shtyp. DIA gjithashtu thekson trajnimin teknologjik që i bëhet anëtarëve të këtyre grupeve kriminale që tani përdorin kanale komunikimi të koduara dhe mbajnë kontakt me të burgosurit nëpërmjet dronëve. Ata shfrytëzojnë platformat e mediave sociale për të bërë herë pas here "shfaqje pushteti".

Por në raportin prej 500 faqesh, shqiptarët janë përmendur për më shumë se 200 herë. Sipas DIA-s, hetuesit kanë konstatuar ekzistencën e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga individë shqiptarë të dedikuar për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut, që gjithashtu merren edhe me pastrim parash. Aftësia për të krijuar marrëdhënie për qëllime "biznesi-kriminale" demonstrohet në marrëdhëniet e mbajtura nga bandat e Ndrangheta-s, por edhe me organizata të tjera kriminale. Zbulimet më të fundit konfirmojnë tendencën e bandave për të krijuar bashkëpunime utilitare me konsorciume me origjina të ndryshme mafioze. Roli i shqiptarëve është i rëndësishëm falë lidhjeve që kanë. 

"Klanet veprojnë në një klimë bashkëjetese të konsiderueshme reciproke, por, në të njëjtën kohë, të pasigurt, siç demonstrohet nga aktet kriminale që ndodhën gjatë kësaj periudhe (6 muajt e parë të vitit 2024), duke dëshmuar fibrilime të brendshme të vazhdueshme. Rishfaqja e sulmeve të dhunshme, madje edhe kundër individëve pa precedentë penalë dhe mbajtësve të posteve publike, është një simptomë e qartë e fenomene të zhvatjes dhe/ose tentativave të frikësimit,"-shkruhet në raport. Grupet kriminale të shumëfishta dhe të fragmentuara, përgjithësisht të bazuara në familje, i kanë rrënjët në qytetet e vogla ku banojnë anëtarët e bandave.

Por edhe grupet e huaja në Itali, përfshi këtu edhe shqiptarët, vazhdojnë të tregojnë një interes mbizotërues në tregun e drogës. Sipas raportit, ndër organizatat më aktive janë edhe ato me kombësi shqiptare që kanë lidhje në vende të tjera evropiane si Belgjika, Holanda dhe Spanja, por edhe në Amerikën e Jugut.

"Organizatat kriminale shqiptare, në veçanti, luajnë gjithnjë e më shumë një rol dytësor në lidhje me eksponentët e Ndrangheta-s dhe Kamorrës së Barit, duke qenë në gjendje të mbështeten në praninë e kontakteve të tyre në portet kryesore tregtare të Evropës Veriore  dhe në Amerikën e Jugut."

Krimi shqiptar përfaqëson një nga shprehjet më komplekse dhe të strukturuara të krimit të huaj në Itali. Grupet kriminale shqiptare, të pranishme në një mënyrë të përhapur në të gjithë territorin kombëtar, veprojnë me qasje të larmishme organizative dhe operative. Disa veprojnë në grupe të vogla, ndonjëherë shumëetnike. Megjithatë, të tjerë kanë formuar organizata kriminale të forta dhe jetëgjata, të rrënjosura në territor dhe me metoda operative që në disa raste kujtojnë ato të mafies italiane. Një tipar dallues i këtyre organizatave është përdorimi i dhunës, i përdorur si për të zgjidhur konfliktet e brendshme për kontrollin e tregut të drogës, si mjet kërcënimi dhe kontrolli. Një karakteristikë e veçantë jepet nga përkatësitë, të cilat shpesh bazohen në lidhje familjare ose midis individëve që janë me origjinë nga i njëjti qytet ose rajon i Shqipërisë. Këto lidhje forcohen nga kode strikte sjelljeje që konsolidojnë strukturën e tyre të brendshme. Trafikimi i drogës mbetet sektori kryesor i aktivitetit dhe të ardhurat prej tij riinvestohen gjithnjë e më shumë në blerjen e aktiviteteve të ligjshme ekonomike dhe pasurive të paluajtshme. Po ashtu, bandat shqiptare janë të përfshira edhe në aktivitete të tjera të paligjshme, të tilla si trafikimi i armëve, trafikimi i qenieve njerëzore, shfrytëzimi i prostitucionit dhe kryerja e krimeve tatimore.

Në trafikimin e drogës, këto grupe shqiptare ndonjëherë veprojnë së bashku me grupe të tjera kriminale të huaja dhe dallohen për besueshmërinë dhe rolin e tyre të konsoliduar në nivel ndërkombëtar. Në fakt, ata janë të aftë të menaxhojnë transportin e ngarkesave të mëdha të narkotikëve dhe të merren drejtpërdrejt me kartelet e Amerikës së Jugut për importimin e sasive të mëdha të kokainës që synojnë furnizimin e qelizave të bashkatdhetarëve që veprojnë në qytetet kryesore italiane. Aftësia për të vepruar në shkallë globale dhe për të ofruar drogë me çmime konkurruese i ka mundësuar këtyre grupeve të ndërtojnë marrëdhënie të forta me organizatat kriminale italiane. Shumë aktivitete kundër drogës, të zhvilluara në rajone të ndryshme italiane, kanë vërtetuar sinergji të vërteta operacionale midis krimit të organizuar shqiptar dhe krimit vendas, të favorizuara nga lidhja që ekziston midis brigjeve shqiptare dhe atyre puliane.

Marrëdhëniet lehtësohen edhe nga mungesa e rivalitetit për kontrollin e territorit, pasi shqiptarët merren kryesisht me furnizimin me drogë, duke ua lënë menaxhimin e tregtisë organizatave kriminale italiane./ZËRI

DOKUMENTIN E PLOTË MUND TA GJENI KËTU 

Poll

MOS HUMB