Aktualitet

Raporti: Nota mesatare në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi me rënie historike, për herë të parë nën 7

Përveç Gjuhës Shqipe dhe asaj Angleze, rënia më e madhe në kalueshmëri shënohet në Matematikë, me një ulje prej -2.19% të kalueshmërisë së maturantëve në këtë provim. Shumë më pak sesa vitin paraardhës, në 2024.

k.m.
Raporti: Nota mesatare në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi me rënie
Foto ilustruese

TIRANË- Notat në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi kanë shënuar një rënie drastike, duke rënë për herë të parë nën notën 7. Qëndresa Qytetare ka përpiluar një raport lidhur me rezultatet e provimeve të kryera nga studentët e rinj në vitin 2025. Por notat e marra nga nxënësit, sipas raportit të fundit nga Qëndresa Qytetare, janë një sinjal të dobësimit në përgatitjen gjuhësore dhe shprehjen e nxënësve. Përveç Gjuhës Shqipe dhe asaj Angleze, rënia më e madhe në kalueshmëri shënohet në Matematikë, me një ulje prej -2.19% të kalueshmërisë së maturantëve në këtë provim. Shumë më pak sesa vitin paraardhës, në 2024.

"Sa i përket kalueshmërisë vihet re se në të gjitha lëndët e maturës ka një rënie të kalueshmërisë nga viti 2024 në 2025. Rënia më e madhe shënohet në Matematikë, me një ulje prej -2.19% te kalueshmërisë së maturantëve në këtë provim, duke vijuar ta shkallëzojë lëndën e matematikës edhe këtë vit si më të vështirën për maturantët. Pas matematikës, rënia më e lartë regjistrohet në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi, me -1.18%, duke vijuar me Gjuhën e Huaj, e cila ka pasur gjithashtu një rënie
të lehtë prej -1.12%, por e cila nisur nga numri më i lartë i maturanëve pjesëmarrës vazhdon të mbetet lënda me përqindjen më të lartë të kalueshmërisë në të dy vitet. Sa i përket Lëndës me Zgjedhje, kjo e fundit ka uljen më të vogël prej -1%, por që ndikon në rënien e përgjithshme të kalueshmërisë,"-shkruhet ndër të tjera në raport.

Sipas Qëndresës, rezultatet e Maturës Shtetërore 2025 tregojnë një problem të thellë në cilësinë e mësimdhënies dhe mënyrën e testimit në lëndët Gjuha Shqipe dhe Gjuhë e Huaj. Edhe pse nota mesatare në Gjuhë të Huaj (7.8) është dukshëm më e lartë se ajo në Gjuha Shqipe (6.87), kjo nuk pasqyron një nivel më të lartë njohurish. Kjo sespe nxënësit vetë kanë deklaruar se testi në gjuhë të huaj ka qenë më i lehtë dhe sipërfaqësor.

"Në anën tjetër, gjuha shqipe, që është baza e të menduarit kritik dhe e shprehjes së qartë, mësohet kryesisht përmes memorizimit dhe riprodhimit, pa zhvilluar kuptim të thellë dhe aftësi kritike. Kjo ka sjellë një rënie të vazhdueshme të notave në këtë lëndë, duke reflektuar një dobësi reale në përgatitjen e nxënësve,"-shkruhet ndër të tjera në raport.  

Provimet e Maturës Shtetërore 2025 u zhvilluan nga data 3 qershor deri më 24 qershor. Në total, numri i maturantëve pjesëmarrës ishte 28 mijë. Shifrat thonë se në maturën shtetërore të vitit 2025 ka rreth 1000 më pak nxënës se vitin e kaluar. Me këtë trend, Shqipëria 2030 do të projektohet në 23,000 maturantë./ZËRI

Poll

MOS HUMB