
TIRANË- Kryebashkiaku socialist i Libohovës, Leonard Hida do të gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në seancën e sotme, SPAK kërkoi që dosja të mbahej në Gjykatën e Posaçme dhe jo të kthehet në Gjirokastër. Ashtu siç edhe kërkuan avokatët mbrojtjes së Hidës.
Hida akuzohet për veprën penale "shpërdorim detyre" në kohën kur mbante detyrën e shefit të krimeve në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, lidhur me kultivimin e kanabisit. Bashkë me Hidën, në dosjen e SPAK janë të përfshirë dhe zyrtarë të tjerë policie, që dyshohet se përmes rryshfetit kanë favorizuar kultivimin e kanabisit.
Hida është zgjedhur kryetar bashkie në Libohovë nga radhët e Partisë Socialiste, në zgjedhjet e 14 Majit të vitit të kaluar. Pa mbushur ende një vit në detyrë, tashmë ai është një i pandehur më shumë në listën e kryebashkiakëve që kanë llogari të hapura me drejtësinë./ZËRI