
TIRANË- Prokuroria e Kaljarit ka vënë nën hetim rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, për shkak se ka përgënjeshtruar dhënien e titullit “Doktor Nderi” për Guvernatorin e Sardenjës, Christian Solinas. Sipas autoriteteve italaiane, kjo doktoraturë është dhënë në mënyrë që ai të ndërhynte te ministri i jashtëm italian, për dhënie fondesh për projekte të ndryshme në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës.
Emërimi është bërë nga italiani Roberto Raimondi, i cili ka qenë drejtor i Shkollës së Doktoraturës në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin Publik të Tiranës e njëherësh drejtor i Zyrës së Autoritetit të Menaxhimit të Programit Europian, ENI CBC të Pellgut të Mesdheut për rajonin e Sardenjës.
Ajo që prokurorët italianë pyesin është se si u bë e mundur që Guvernatori i Sardenjës, i impenjuar në detyrën e tij të lartë institucionale të ketë marrë në Shqipëri një titull doktorature kur në Itali nuk e ka një diplomë mjekësie e për të cilën duhen vite studimi e eksperience në këtë fushë?
Dhe pak kohë më parë, guvernatori Solinas ka qenë në kritikën e mediave pasi ka deklaruar se ka një titull akademik në Unviersitetin Leibnitz të Milanos, e që nuk njihet nga Ministria Italiane e Arsimit.
Guvernatori i Sardenjës së bashku me tre bashkëpunëtorë të tij është vënë nën hetim edhe për disa prona e toka të dhëna në shkëmbim të favoreve me sipërmarrës e persona me funksione publike.
Gjithsej nën hetim janë 7 figura politike institucionale e sipërmarrës në Itali, përfshirë dhe rektorin Gjata.
Gjata është prej muajsh nën hetim edhe për koncesionin e sterilizimit. Në vitin 2015 ai ka qenë komisionin e koncensionit e sterilizimit dhe shprehej se infeksionet spitalore, ishin arsyeja kryesore, se përse koncesioni ishte mënyra e vetme për të përmirësuar situatën në spitalet në vend dhe për të patur një shërbim me cilësor. Por asnjë prej anëtarëve nuk shpjegoi dot, sesi kostot u rritën dhe se përse ata nuk kishin mundur të parashikonin këtë gjë./ZËRI