
TIRANË – Gazetarja Anila Hoxha ka sqaruar dënimin e ri, që parashikohet në kodin penal, atë të qortimit gjyqësor. Ajo tha se ky dënim do të jetë për ata persona, që kanë kryer kundravajtje të lehta penale. Gazetarja tha për “Breaking” se qortimi gjyqësor, që jepet nga gjykata penale për vepra të lehta, duhet që të pranohet në radhë të parë nga vetë personi që ka kryer kundravajtjen, në maksimumin që parashikon Kodi Penal.
Sipas Hoxhës, ligji i ri do të sjellë ekonomi gjyqësore, por edhe një minimizim të shpenzimeve të shtetit shqiptar sa i përket mbajtjes në burgje të atyre personave, që janë shpallur apo presin të dënohen ose të marrin pafajësi nga gjykata. Për gazetaren, edhe taksapaguesit shqiptarë, në këtë mënyrë, do të paguajnë më pak para.
Pjesë nga biseda në studio:
Gazetarja: Qortimi gjyqësor me shpallje deri diku i njëjtë me një fletërrufe që realizohet vetëm nëse i akuzuari pranon të qortohet, çfarë do të thotë kjo?
Anila Hoxha: Si figurë e re është shumë risi sa i takon dënimeve alternative. Dënimet alternative përfshijnë disa dënime, mes tyre dhe dënimin me kusht, pra ku shmanget vuajtja e vendimit gjyqësor në qeli. Midis tyre është futur dhe qortimi gjyqësor që është figurë e re dhe risi në rast se do aprovohet nga të gjitha aktorët.
Vlen të theksohet që të gjithë aktorët e drejtësisë ku përfshihet shkolla e magjistraturës, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ministria e Drejtësisë, ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, secila prej tyre që janë pjesë e grupit të punës japin referimet e tyre për të sjellë një kod penal të ri, më i fundit ai që është miratuar, është në kuadër të reformës në drejtësi në vitin 2017, ndërkohë që është vënë re që për shkak të shumë fenomeneve në shoqërinë shqiptare, duke nisur për shembull tek nevoja për të mos shpallur vetëm dënimin e burgosjes së një autori të një krimi, është propozuar si një qasje e re edhe qortimi gjyqësor.
Ky qortim gjyqësor që jepet nga gjykata penale për vepra të lehta, në radhë të parë duhet pranuar nga vetë ai që ka kryer krimin apo kundravajtjen penale në maksimumin që parashikon kodi penal, veprën penale me maksimumin 1 vit burgim.
Kjo do të sillte jo vetëm ekonomi gjyqësore, por do të sillte një minimizim të shpenzimeve të shtetit shqiptar sa i përket mbajtjes së atyre personave të cilët janë shpallur apo presin të dënohen apo të marrin pafajësi nga gjykata, do të jepte dhe një ulje të faturës financiare që shqiptarët paguajnë.
Nëse ke bërë një gabim i kundravajtjes penale nuk mund të qortohesh gjyqësisht dhe të vendoset shpallja nëse ke bërë një vrasje, nëse ke bërë një grabitje me dhunë, nëse ke bërë një krim të rëndë.
Këtu jemi në rrethana të tjera, por nëse ke drejtuar në gjendje të dehur automjetin, nëse ke bërë vepra të tjera që konsiderohen si kundravajtje penale dhe nëse je dakord të qortohesh atëherë ky është hapi i parë. Më pas gjykata vendos të dënohesh me qortim.
Gazetarja Anila Hoxha tha se sipas ndryshimeve në Kodin Penal, asnjë i ri nën 21 vjeç nuk do të dënohet me burgim të përjetshëm. Hoxha tha se qeveria parashikon hapjen edhe të një instituti të ngjashëm me atë të “Shkollës së Vagabondëve”, për riedukimin e të miturve. Gazetarja tha se instituti do të hapet në periferinë e Tiranës. “Prej pesë vitesh në vendin tonë aplikohet kodi miqësor për të miturit, me qëllim që ta korrigjojmë, edukojmë fëmijën në forma të tjera, që ai të mos ndeshet direkt me autoritete si gjykata apo polici. Por pavarësisht këtyre përpjekjeve është parë se ka një shpërthim të krimit të kryer nga të miturit, megjithëse në kodin e drejtësisë penale për të mitur është parashikuar që përpos institutit të Kavajës duhet të ishin hapur edhe institucione që nuk janë hapur ende, dhe një ndër to është ai, që konsiderohet si kthimi i “Shkollës së Vagabondëve”. Është një institut që parashikohet të hapet në periferi të Tiranës. Është gjendur edhe trualli ku do të hapet”, tha Hoxha./ZËRI/