Aktualitet

RITELLO-IUTE CREDIT 2/ “Viktimat” në spital, drejtori: Faji i punonjësve, aq nivel kanë!

ZËRI për të qenë sa më korrekt, pavarësisht se në vizitën që pati në zyrën e distributorit Stiljano Merkohitoj nuk mori një përgjigje, ka ritentuar të ketë komunikim me të, përmes një telefonate.

Florida Mingla
RITELLO-IUTE CREDIT 2/ “Viktimat” në spital, drejtori: Faji i
Stiljano Merkohitoj dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- Denoncimet kundrejt kompanisë Ritello nuk kanë të ndalur. Pas publikimit të videos, ZËRI është përballur me telefonata dhe mesazhe nga qytetarë të shumtë që kërkojnë të denoncojnë këtë kompani për mashtrim. Një prej tyre, person që është mashtruar e manipuluar për të blerë pajisjen me këste përmes Iute Credit, na tregon dhe një prag tragjedie. Në mesazhin që shikonim zonja rrëfen se bashkëshorti është shtruar në spital pasi ka pësuar goditje në zemër për shkak të situatës dhe vështirësive që po kalojnë me pagesën e kësteve.

NDIQNI MATERIALIN E PËRGATITUR NGA ZËRI:

 

ZËRI për të qenë sa më korrekt, pavarësisht se në vizitën që pati në zyrën e distributorit Stiljano Merkohitoj nuk mori një përgjigje, ka ritentuar të ketë komunikim me të, përmes një telefonate.

Merkohitoj e nis bisedën duke mbrojtur kompaninë dhe duke kundërshtuar atë që të gjithë qytetarët panë me zë dhe figurë, që nuk ka asnjë dhuratë dhe që pastruesi i ajrit është ‘karremi’.

Stiljano Merkohitoj: Ti ke punën tënde dhe unë e mbroj punën time që e kam me gjak. Thjesht për kuriozitet ta dish, kjo punë, siç veprohet në Shqipëri, me një prezantim, me një pastruese ajri falas, që i jepet klientit me të gjitha, është njësoj, në Amerikë, në Gjermani, kudo dhe këtë ta vërtetoj shumë mirë

ZËRI: Po ne e pamë, e filmuam të gjithë skenën dhe aty nuk ka asnjë produkt falas. Është një lloj marketingu që është manipulues.

Stiljano Merkohitoj: Po si s’ka, jo kjo s’është e vërtetë. Nëse ti do fakte për këtë pjesë, unë ta jap me fakte.

ZËRI: Cilat janë faktet?

Stiljano Merkohitoj: Faktet janë që ne dhurojmë çdo ditë…

ZËRI: Po vajza ishte në shtëpinë time dhe e mori produktin prapë me vete.

Stiljano Merkohitoj: Ajo vajza, unë jam konsultuar më atë, çdo klienti që shkon i bën prezantimin, i jepet pastruesi i ajrit, të gjithëve.

ZËRI: Me fakte kemi dhe pjesën që vajza tha se nëse ti dëshiron të pranosh dhuratën, duhet të blesh dhe aromatizuesin që kushton 54 mijë lekë. Dhe aromatizuesi që kushton 54 mijë lekë do të thotë që pajisja nuk është falas. Ky është një kusht.

Stiljano Merkohitoj: Mirë ok.

ZËRI: Domethënë dhuratë nuk ka, është manipulim.

Stiljano Merkohitoj: Mirë, ok.

Denoncimeve për manipulimin e qytetarëve nga punonjësit për marrjen e një kredie tek Iute Credit, Merkohitoj ua faturon punonjësve, të cilët i konsideron dhe dru të shtrembër.

ZËRI: Dhjetëra qytetarë mashtrojnë, vetëm ju thoni të vërtetën?

Stiljano Merkohitoj: Patjetër, nëse unë e bëj një gabim…në kompani del një dru i shtrembër, një punonjës i shtrembër.

ZËRI: Nuk bëhet fjalë për një punonjës të shtrembër, bëhet fjalë për dhjetëra qytetarë që nuk e dinë që kanë kredi tek Iute dhe janë me kredi tek Iute. I kemi pasur denoncimet njëri pas tjetrit.

Distributori nuk është i qartë as për datën se kur e ka regjistruar kompaninë në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe as për vitet që ka në krye të saj.

ZËRI: Në Qendrën Kombëtare të Biznesit ju rezultoni se e keni regjistruar këtë vit, në 2023-shin, jo para 16 vitesh.

Stiljano Merkohitoj: Si para 16 vitesh? Unë jam distributor i Ritellos në Shqipëri që prej vitit 2016.

ZËRI: Vajza që ishte në shtëpinë time tha punojmë prej 16 vitesh.

Stiljano Merkohitoj: Ka Ritello prej 16 vitesh, unë kam si përfaqësues që nga 2006.

ZËRI: 2006 apo 2016?

Stiljano Merkohitoj: 2016 jam unë dhe e kam me NIPT që prej vitit 2016.

Me një kërkim të thjesht, ZËRI zbulon se në fakt, Ritello është regjistruar në vitin 2023. Ndërsa në vitin 2015, Merkohitoj ka regjistruar një tjetër biznes, me emër tregtar “A&S”.

Pretendimeve se Ritello ‘vret’ dhe ‘falimenton’ Covid-19, Merkohitoj nuk di tu përgjigjet. Në fillim del garant njësoj si punonjësja e tij, ndërkohë pas disa sekondave tërhiqet dhe flet për papërgjegjshmëri të vartësve.

ZËRI: Vajza erdhi në shtëpinë time dhe tha, kjo ena mbyt Covid-19, si mund të thuhet kjo gjë, bota ka vuajtur nga Covid-19 dhe ka humbur jetë njerëzish, ju merrni përsipër të bëni mjekësinë në vitin 2023...

Stiljano Merkohitoj: Ta konfirmoj dhe unë që e bën.

ZËRI: Bën dezinfektimin e ajrit apo ngordh Covid-19?

Stiljano Merkohitoj: Po, patjetër. Mos u kap me fjalët e një agjenteje…Është aq profesionale sa mundet e shkreta.

ZËRI: Si aq sa mundet? Ajo më premton shfarosjen e Covidit…Unë kam tjetër bisedë të regjistruar me vajzën, ajo më thotë që falimenton Covid-in.

Stiljano Merkohitoj: Ndoshta s’ka qenë perfekte, aq sa ka ditur, aq sa mundet, aq sa di të transmetojë. Ajo aq di, aq e ka inteligjencën, tani të lutem.

Dyshime na lindën dhe për çmimin e pajisjes, kur në faqe të ndryshme pamë se shitej dhe për 500 apo 700 euro. Por as për këtë gjë, distributori i Ritellos nuk është shumë i qartë.

ZËRI: E njëjta pajisje shitet dhe për shifra deri në 500 euro, si ka mundësi që ju e shisni 3500?

Stiljano Merkohitoj: Jo s’e shesim 3500.

ZËRI: E kam të regjistruar vajzën që thotë në total shkon 3500. Vetëm brenda 24 orarëshit ishte 2390 euro.

Stiljano Merkohitoj: Po patjetër aq është, ditën e prezantimit.

ZËRI: Ditën tjetër është 3500...

Stiljano Merkohitoj: Vetëm nëse vjen ti ta blesh tek zyra, çfarë të keqeje ka.

Pra sa është çmimi?

Stiljano Merkohitoj nuk pranon të dëgjojë as denoncimet e ish-punonjësve të tij, të cilët janë përplasur në inboxin e ZËRI-t për të folur mbi mënyrën se si janë trajnuar në punë dhe për faktin që janë larguar pasi kanë kuptuar se ajo që po bënin ishte një mashtrim. Për të, të gjithë këta ish-punonjës, janë njerëz të dështuar.

Stiljano Merkohitoj: Ish-punonjësit tanë janë disa njerëz të dështuar.

ZËRI: Të gjithë janë të dështuar, edhe pa e dëgjuar akoma se çfarë na kanë thënë ne dilni në këtë përfundim?

Bisedën e mbyll duke na kërkuar që të mos e vazhdojmë me misionin tonë.

Stiljano Merkohitoj: Mos vazhdo më me atë që je duke vazhduar, sepse do të të vërtetoj të kundërtën. Mos mendo që unë do e lë me kaq. Që nesër në mëngjes do ta kuptosh. Unë e di që ju merreni me hajna, keni të drejtë. Kam filluar dhe një procedurë. Po mbroj veten, nuk guxon as ti, as askush në këtë dynja që një kompani botërore, brend botëror ta hedhim poshtë.

Gjithashtu, më premton ballafaqim.

Stiljano Merkohitoj: Dëgjo jam i gatshëm eee, nuk po ju shmangem, jam bërë gati të dal të flas dhe unë diku në një televizion, nuk ka rëndësi se ku.

Por ajo që morëm kur kërkuam takim me zotërinë, ishte heshtje!

Poll

MOS HUMB