SHKODËR - Një 65-vjeçar, teksa po peshkonte në breg të lumit Buna, ka rrëshqitur dhe ka rënë në ujë. Polumbarët kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur kërkimet e trupit të shtetasit nga Kosova, Hashim Syla, 65 vjeç.
Syla është banor i Mitrovicës. Kërkimet për gjetjen e trupit të tij janë duke u kryer në bashkëpunim me polumbarët e Repartit “RENEA”.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 11:50, teksa peshkonte në bregun e lumit Buna, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur dhe ka rënë në ujërat e lumit, shtetasi kosovar H. S., 65 vjeç, banues në Mitrovicë.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 65-vjeçarit, kërkime të cilat do të bëhen dhe në ujërat e lumit Buna, në bashkëpunim me polumbarët e Repartit “RENEA”.
Ndërkaq, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.
Në lidhje me këtë ngjarje, është aktivizuar Forca e Sigurisë së Kosovës.
FSK ka njoftuar se po zhvillon operacion kërkim-shpëtimi në lumin Buna, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Shqipërisë. “Po vazhdon operacioni i Kërkim Shpetimit në lumin Buna në Republikën e Shqipërisë, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me qëllim kërkimin dhe gjetjen e qytetarit nga Kosova, i cili ka rënë aksidentalisht në lumin Buna”, thuhet në njoftimin e FSK./ZËRI/