DURRËS- Moti i paqëndrueshëm këtë të shtunë ka sjellë probleme të shumta në disa zona të vendit, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke kërkuar ndërhyrje të shërbimeve emergjente.
Në Durrës, reshjet e dendura dhe era e fortë kanë krijuar vështirësi në lëvizje si për automjetet, ashtu edhe për këmbësorët. Në zonën e Plepave, disa pemë janë rrëzuar pranë rrethrrotullimit në rrugën dytësore, duke penguar përkohësisht trafikun.
Probleme serioze janë raportuar edhe në aksin Librazhd-Prrenjas, ku reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje masive dheu në zonën e Kthesave të Dragostunjës, në një segment ku po zhvillohen punimet për Korridorin VIII. Si pasojë, rruga është bllokuar plotësisht në të dy drejtimet, duke krijuar radhë të gjata automjetesh dhe duke lënë dhjetëra udhëtarë të bllokuar përkohësisht.
Ndërkohë, në fshatin Sinamete në Bashkinë e Peqin, është shembur një urë, duke izoluar përkohësisht dy fshatra dhe duke vështirësuar lëvizjen e banorëve.
Autoritetet dhe grupet e punës ndodhen në terren për menaxhimin e situatës dhe vlerësimin e dëmeve, ndërsa Policia Rrugore u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin udhëtimet në segmentet problematike deri në përmirësimin e kushteve të motit./ZËRI