Aktualitet

Burg me kamera! 34-vjeçari në Tiranë rrihte gruan, nëna e 4 fëmijëve e denoncoi vetë

Sipas njoftimit të Policisë, i riu ushtronte edhe dhunë fizike ndaj bashkëshortes, me të cilën jetonte në Kodër Institut.

k.m.
Burg me kamera! 34-vjeçari në Tiranë rrihte gruan, nëna e
Kamerat në shtëpi

TIRANË- Një tjetër rast alla "Big Brother" është shënuar në Tiranë. Një 34-vjeçar, i identifikuar si Asqeri Mandri është vendosur në pranga pasi kishte mbyllur bashkëshorten e tij në banesë dhe i kishte vendosur nga 3 kamera kudo, në çdo dhomë të shtëpisë për ta vëzhguar kur ai nuk ishte në banesë me të. Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur në zonën e Kodër Kamzës, ku nëna e katër fëmijëve mbahej e mbyllur dhe nën vëzhgimin me kamera nga bashkëshorti i saj për 6 muajt e fundit. Këto muaj ai ishte kthyer nga Gjermania, vend ku punonte për të siguruar të ardhura për familjen. 

Sot, duke vendosur që të mos duronte më dhunën që i ushtrohej sistematikisht, nëna e 4 fëmijëve ka marrë një telefon dhe ka njoftuar Policinë, duke u rrëfyer tmerrin që përjetonte çdo ditë. Pasi mbërritën në banesë, efektivët zbuluan kamerat e vendosura kudo në shtëpi, nga salloni në kuzhinë, e në ambiente të tjera, e i vunë prangat 34-vjeçarit Mandri. Në rrëfimin e tij në Polici, Asqeri Mandri nuk dha shumë detaje duke u shprehur vetëm: Kështu ma dha truri!

Ndërsa gruaja e tij, e cila mbyllej në banesë nga burri, ka deklaruar para hetuesve se 34-vjeçari pas kthimit nga Gjermania ka shfaqur shenja të theksuara xhelozie, madje e ofendonte dhe e akuzonte për tradhëti. Po ashtu, ajo ka treguar se pre e dhunës nga 34-vjeçari kanë qenë edhe 4 fëmijët e tij. 

Sipas saj, në pamjet e kamerave të sigurisë ka momente që tregojnë dhunën e ushtruar ndaj saj dhe fëmijëve. Kamerat dhe pamjet që ato kanë fiksuar janë sekuestruar nga Policia si provë për gjyqin ndaj Mandrit. Por edhe  Mandri, njëjtë si Jetnor Zhaboli, dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

NJOFTIMI I PLOTË:

Tiranë

Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, në një familje. Mbylli në banesë, bashkëshorten e tij, të cilën e mbikëqyrte me kamera, si dhe ushtroi dhunë ndaj saj, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A. M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshën Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Para Mandrit, në pranga u vendos Jetnor Zhaboli, i cili gjithashtu mbyllte gruan dhe fëmijët e mitur me çelës në shtëpi, ndërsa kur nuk ndodhej pranë tyre i monitoronte përmes kamerave të sigurisë. Kamerat e sigurisë, përfshirë dhe nëj bllokues të valëve telefonike ishin instaluar në të gjithë ambientin e shtëpisë, ndërkohë që gruaja dhe fëmijët dilnin nga banesa vetëm në praninë e tij. Sipas dëshmive, vitet e fundit, Zhaboli me profesion ekonomist, kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor, për të cilat nuk i kishte kuruar./ZËRI

Poll

MOS HUMB