
DURRËS- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku babai mbante peng dy fëmijët e tij të mitur. Sipas të informacioneve që kanë dhënë fqinjët e të riut, Aleks Marku kishte disa ditë që ishte zhvendosur në lagjen e tyre, duke marrë me qera një apartament në zonën e njohur si "Shkëmbi i Kavajës". Por edhe pse e ka marrë me qera, nuk qëndronte gjatë në banesë, ndërsa fëmijët ishin për shumë kohë vetëm, pa kujdesin e prindërve. Marku ishte gjithë kohës nën ndikimin e alkoolit dhe të lëndëve narkotike, ndërsa e ëma e tyre ishte larguar për në Itali.
“Fëmijët kemi parë, kanë gati një muaj këtu, lër rroba këtu, lër rroba atje. Policinë nuk e kemi parë, fëmijët kemi parë, nuk dimë gjë,”-tha një prej fqinjëve për "Top Channel". Por fatmirësisht, edhe pse nuk kishin kujdesin e asnjërit prej prindërve, të dy të miturit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Aktualisht, 40-vjeçari ndodhet në ambientin e Komisiatit të Durrësit, ku po kryehen analizat për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, ashtu siç pretendon edhe vetë duke theksuar disa herë se "nuk ka qenë i vetëdijshëm" në momentin kur ka qëlluar mbi efektivët e forcave RENEA.
“Kisha frikë se do më qëllonin,”-ka shtuar ai në dëshminë që ka dhënë në Polici.
Marku portretizohet nga të afërmit e bashkëshortes si një person me probleme, që ushtronte edhe dhunë në familje, ndaj e shoqja kishte vendosur që të largohej drejt Italisë. Duke qenë se ajo është larguar, ai ka marrë fëmijët me forcë nga Lezha dhe është zhvendosur në Durrës. Probleme kishte edhe në Itali, ku ka qenë i dënuar për vjedhje./ZËRI