MALI I ZI-Mbi 55 mijë euro janë sekuestruar nga autoritetet kufitare në Malin e Zi. Paratë ishin fshehur brenda kornizës së dritës së makinës, me qëllim shmangien e kontrolleve dhe kalimin e tyre përtej kufirit pa u konstatuar.
Në total, gjatë kontrollit janë gjetur pesë lloje monedhash. Përveç euros, bëhet fjalë për dollarë kanadezë, dollarë australianë, dollarë amerikanë, paund britanikë dhe lekë shqiptarë. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve malazeze dhe Frontex, agjencisë evropiane përgjegjëse për mbështetjen dhe menaxhimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.


Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi origjinën e shumës së parave, kujt i përkasin ato, ndërsa mbetet e paqartë edhe arsyeja konkrete që ka çuar në fshehjen e tyre në automjet. Hetimet vijojnë për të përcaktuar burimin e parave, destinacionin e tyre dhe nëse shuma e sekuestruar mund të jetë e lidhur me ndonjë veprimtari të paligjshme.