
BERAT- Tre persona kanë mbetur të plagosur me thikë e sende të forta, si pasojë e një sherri të ndodhur këtë mbrëmje në Berat. Ngjarja ndodhi në lagjen “Uznovë”, në dalje të qytetit të Beratit. Një grup të rinjsh, pjesë e dy grupeve me precedent penalë kanë gërvishtur makinat e njëri-tjetrit. Më pas, kanë hapur krahun në anë të rrugës dhe janë përleshur me thika e leva.
Fillimisht, kanë qenë vëllezërit Donald dhe Denis Destani, përkatësisht 29 dhe 25-vjeç, ata që kanë zbritur nga mjeti i tyre dhe kanë thyer me leva xhamat e automjetit tip Ford Fokus, me targa AA 562 CS, në pronësi të të riut, Xhuljano Hyraj, 27-vjeç. Më pas, vëllezërit Destani dhe Hyraj janë konfliktuar me thika e leva, derisa anëtarët e tjerë kanë ndërhyrë dhe i kanë ndarë.
Të tre janë dërguar në spital. Xhuljano Hyraj ka marrë goditje me levë në kokë, ndërsa Donald Destani ka një plagë në shpatull, të shkaktuar nga një goditje me thikë. Pjesa tjetër e grupit janë shoqëruar në komisariat për të zbardhur arsyet e sherrit.