
TIRANË- Ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, është përplasur me SPAK për pagesën e një shumë prej 120 mijë lekësh, në mënyrë që atij ti jepet dosja. Sipas Beqajt një kërkesë e tillë është e paligjshme, pasi detyrimet proceduriale duhet të paguhen në fund të procesit. Beqaj ka pretenduar se SPAK nuk i ka dhënë materialet e dosjes që kanë në ngarkim të tij.
Dosja e Beqajt është voluminoze, dhe sipas ish-ministrit ajo nuk po i vihet në dispozicioin nga SPAK, edhe pse kjo është e drejta e tij si person nën hetim.
Seanca e sotme, ku Beqaj nuk ishte prezent, por u përfaqësua me avokatë, u shty për një datë tjetër për t'i dhënë kohë kërkuesit të paraqesë provat në formën e kërkuar nga ligji.
“Që në dhjetor, pas seancës së parë, kemi konstatuar që dosja është voluminoze. Kemi kërkuar që të ishim përgatitur. Kërkesa na u pranua, por SPAK na ka krijuar pengesa artificiale për të marrë dosjen. Prokurorët kanë pranuar që mund ta kemi, duam që gjyqtari të veprojë me shpejtësi”, tha pak ditë më parë Beqaj, ndërsa tashmë bëhet i ditur dhe detyrimi që SPAK ka kërkuar, për të vënë në dispozicion dosjen.
Ilir Beqaj është duke u hetuar dhe për pasurinë e tij, për shkak se ka dyshime që ai të ketë pasur kompani të fshehta përmes njerëzve të tij të besuar. Në një rast ka qenë gruaja e tij aksionere në një kompani farmaceutike, dhe në rastin tjetër vetë Beqaj dyshohet se është pronar i fshehtë i restorantit "Gzona" që gjendet pranë Kalasë së Tiranës.
Ish-ministri akuzohet për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”, sa i përket procedurës së dhënies së koncesionit të sterilizimit, në kohën që ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Po ashtu, Ilir Beqaj po hetohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, sipas gjyqtarit Erjon Bani, Beqaj edhe ka falsifikuar vula, stampa dhe formularë. Në funksion të hetimeve, në fund të vitit 2023, u ushtruan kontrolle në banesën dhe disa kompani farmaceutike në pronësi të Beqajt.
/ZËRI