TIRANË- Prej më shumë se një jave vendi ynë është duke u përballur me temperatura ekstreme të motit, që për pasojë kanë shtuar rastet e urgjencave, ndërsa ndikimet në shëndetin e qytetarëve janë të shumta. Kjo javë është konsideruar si ‘ferri në tokë’, për shkak se temperaturat do të jenë të larta edhe gjatë orëve të natës, duke bërë që të shtohen problemet, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, por edhe të sëmurët kronikë. Temperaturat pritet të jenë në rritje edhe gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte, ku temperaturat në hije pritet që të shkojnë deri në 43 gradë Celsius, ndërsa në diell shifrat janë edhe më të larta.

Në këtë situatë mjekët apelojnë që qytetarët të shmangin sa më shumë daljen në oraret e pikut, si dhe të qëndrojnë të hidratuar dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje. Nga ana tjetër, qeveria pritet të njoftojë ditën e nesërme, shkurtimin e orëve të punës për administratën, por jo për sektorin privat, apo kopshtet dhe çerdhet.
Nga dita e nesërme pritet shkurtim i orarit të punës për Administratën Publike nga ora 9.30-15.30 dhe të premten 9.30-13:00.

Për të përballuar temperaturat e larta dhe shmangur pasojat e rënda të këtij të nxehti ZËRI ju sjell një listë me këshilla që duhet ta zbatoni, pasi efektet në trup si pasojë e të nxehtit mund të kenë të rënda.
Rritjet ekstreme të temperaturave mund të rëndojnë gjendjen e personave me patologji kronike. Rruga kryesore e eliminimit të nxehtësisë është nëpërmjet djersitjes por në situatë fizike dhe ambientale ekstreme, ky mekanizëm është i pamjaftueshëm. Nëse dhe shkalla e lagështisë së ambientit është e lartë, djersa avullon ngadalë dhe temperatura trupore mund të arrijë vlera mbi 40°C, duke dëmtuar organet vitale të organizmit.
Faktorët që ndikojnë mbi termorregullimin janë:
1. Mosha (tek fëmijët e vegjël dhe tek të moshuarit është i reduktuar)
2. Sëmundjet kronike
3. Përdorimi i disa medikamenteve
4. Konsumimi i drogës dhe alkoolit
Shenjat dhe simptomat nga i nxehti:
Të parat që shfaqen janë:
1. Dhimbje koke;
2. Nauze dhe të vjella;
3. Lëkurë e zbehtë dhe e ngrohtë;
4. Puls i dobët;
5. Rritje e temperaturës trupore;
6. Gjendje të fikëti;
7. Edema;
8. Krampe muskulore;
Nëse ekspozimi vazhdon:
9. Çrregullime të koshiencës që variojnë nga konfuzioni deri në humbje të plotë të koshiencës;
10. Konvulsione;
10. Rritje e frekuencës kardiake;
11. Dëmtime të rënda cerebrale, dekompensim akut kardiak dhe vdekje.

Protokoll i masave për parandalimin e dëmtimeve nga i nxehti
1.Të evitohet ekspozimi në diell. Sidomos në pikun e temperaturave (nga ora 11:00 deri në 17:00)
2. Ambienti në të cilin jetojnë të jetë i freskët dhe i ajrosur mirë, nëpërmjet ajrit të kondicionuar, ventilatorëve ose nebulizatorëve për lagështimin e ajrit. Të vendosen perde të errëta sidomos në dritaret e ekspozuara ndaj rrezatimit diellor. Të vendosen termometra për matjen e temperaturës së ambientit ku shpenzojnë më shumë kohë.
3. Të pihen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë. Evitoni pijet shumë të ftohta, ato me gaz, me shumë sheqer dhe pijet energjike.
4. Të konsumohen vakte ushqimore të shpeshta, në sasi të vogla, të ftohta dhe me përbërës ushqimorë lehtësisht të tretshëm.
5. Të vishen me rroba të lehta, me ngjyra të hapura dhe prej pambuku ose linoje me qëllim thyerjen e rrezatimit UV.
6. Për personat që përdorin terapi mjekësore, të mos e ndërpresin apo ndryshojnë atë, pa u konsultuar me mjekun përkatës.
7. Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët dhe pa u tharë me peshqir.

/ZËRI