
TIRANË- Shqipëria është kthyer në një “parajsë skllavëruese” për punëtorët e fasonit nga biznemenët italianë, të paktën disa prej tyre, të cilët janë denoncuar me zë dhe me figurë tek ZËRI. Shumë prej të cilëve, pasi bëjnë kërdinë, shfrytëzojnë punonjësit, nuk u japin pagesën dhe “zhyten” në borxhe me shtetin shqiptar, zhduken. Ikin në vendin e tyre të origjinës a thua se asgjë nuk ka ndodhur në këtë vend, duke lënë punonjësit të pashpresë. Por jo vetëm biznesmenët italianë, pasi dhe ata shqiptar që merren me biznesin e fasonit, me sa duket kanë mësuar nga më të mirët e mashtrimit dhe janë bërë si ata. Por le ti marrim me radhë:
1. Më 27 Mars mbërriti dhe denoncimi i parë pranë Redskasisë së ZËRI-t nga punonjëset e fasonerisë “Sinless Confezioni”, me pronar shtetasin italian Francesco Peluso. Zonjat kishin 2 muaj pa marrë pagat dhe mbi 6 muaj pa iu paguar sigurimet shëndetësore dhe shoqërore nga firma. Ndërsa pronari, gishtin e fajtorit e drejtonte drejt tyre. Prej orëve të para të mëngjesit ekipi i ZËRI-t mësyu në fasoneri bashkë me zonjat, duke kërkuar një përballje me pronarin, i cili u fsheh dhe dërgoi Policinë për të nxjerrë jashtë gazetarin. Por fshehja dhe presioni i tij nuk zgjatën shumë, pasi më vonë, me ndërmjetësimin e ZËRI-t ai u paraqit pranë një noteri dhe nënshkroi një dokument ku zotohej se zonjat do merrnin pagesat dhe sigurimet. Dhe… ashtu ndodhi. Punonjëset i morën pagesën në datën e caktuar në marrëveshje.
2. Më 27 Prill, katër punonjese të fasonerisë, “Pasion, fashoion & Co”, me pronar shtetasit shqiptarë Olta Hoxhallari dhe Hendrik Mungea, trokitën në Redaksinë e ZËRI-t dhe kërkuan ndihmë. Ato kishin 2 paga pa marrë, ndërsa kishin muaj pa u kaluar sigurimet. ZËRI mbërriti pranë kompnaisë, por pasi u sinjalizuan nga punonjësit e tjerë, pronarët iu shmangën ballafaqimit, ndërsa Hendrik Munega në një komunikim me telefon u shpreh se nuk pyet për shtetit. Por ZËRI, nuk u tërhoq duke shkuar sërish pranë kompanisë, këtë herë gjeti aty pronarin Hendrik Munega, i cili refuzonte të përballej me punonjëset dhe të përgjigjej se kur do të merrnin pagën, ndërsa në fund, kërcënoi ekipin e ZËRI-t dhe nuk munguan aktet e dhunës. Zonjat vijojnë ende të kërkojnë të drejtën e tyre, ndërsa institucionet e vëna në dijeni, nuk japin zgjidhje.
3. Më 2 Maj, ZËRI udhëtoi drejt Durrësit për tu takuar me Vilsonin. Ky i fundit kishte 1.5 milion lekë për të marrë pranë fasonerisë “8L”, ndërsa mbante mbi shpatulla barrën e akuzës për vjedhje nga drejtuesja e kompanisë. ZËRI zhvilloi një bisedë telefonike me pronaren, zonjën Xheni, pasi nuk e gjeti në ambientet e punës në kohën e mbërritjes. Kjo e fundit u shpreh se Vilsoni do ta merrte pagesën, ndërsa hodhi poshtë akuzat për vjedhje, që e rëndonin të riun, më shumë se paratë që kishte për të marrë. Dhe kështu ndodhi, Vilsoni e mori pagesën ndërsa sot ndihet më i lehtësuar dhe i çliruar nga akuzat, për një vepër që nuk e kishte kryer. Por pse duhet të ndërhyjë gjithmonë media, që qytetarët të marrin atë çfarë u takon? Pse nuk japin zgjidhje institucionet?
4. Më 22 Maj ZËRI iu gjend pranë 150 punonjësve të fasonerisë “Erman Alba” në Tiranë. Pronari italian, Giuseppe Civita pasi kishte marrë punën e fundit të zonjave, ishte zhdukur drejt Italisë, duke i lënë pa rroga dhe në mëshirë të fatit. Punonjëset u shprehen se janë prerë në besë nga pronari, i cili tashmë nuk jepte asnjë përgjigje, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë ngritur duart lart në pazotësi për të vepruar. Ministria e Ekonimisë në një përgjigje për ZËRI-n shprehet se e ka referuar rastin pranë Policisë së Shtetit, por nga ky institucionet ZËRI nuk ka marrë asnjë përgjigje pavarësisht se ka dërguar dy emaile, pranë Krimit Ekonomik dhe Financiar, për të ditur se si do të procedohet për rastin.
5. Saga e mashtrimit e kompanisë, “Erman Alba” nuk mbyllet me kaq. Dy zonja, Mirela Karaj dhe Fatmire Bido, të cilat kishin një marrëveshje nënkontraktore me firmën akuzojnë kompaninë se u detyrohet, njërës mbi 8500 euro, ndërsa tjetrës më shumë se 22 mijë euro. Pronari italian, Giuseppe Civita, u ka bllokuar numrat e telefonit për të shmangur çdo kontakt me to, por sa do të vijojë ti shmanget drejtësisë?! Zonjat sot që flasim janë në mëshirë të fatit, ndërsa Bido është detyruar të mbyllë fasonerinë e saj të hapur me mund e djersë, pasi “zhytja” në borxhe e vendosi me “shpatulla pas murit”.
6. Por një tjetër kompani italiane, “Modin”, duket se ka gjetur “parajsën” e saj në Shqipëri. Bido shprehet se ka pasur një marrëveshje nënkontraktore me kompaninë, por… derisa ajo të zhdukej me të paktën 30 mijë euro të pashlyera. Pronarët nuk hapin telefonin, ndërsa zonja ka nisur një betejë ligjore me përfaqësuesit e firmës, të cilët pasi morën punën, shfrytëzuan krahun e punonjësve në Shqipëri, zbatuan praktikën e njohur të kolegëve të tyre… zhdukjen.
Për secilin rast, ZËRI ka vënë në dijeni institucionet, të cila bëjnë “ping pong” me njëra-tjetren dhe nuk japin një përgjigje konkrete se çfarë do të ndodhë. Punonjësit shqiptarë, sot janë të pambrojtur përballë shfrytëzimit të kompanive private, shqiptare dhe të huaja, të cilët pasi i shfrytëzojnë, i flakin në rrugë. Kush është përgjegjësia e shtetit dhe a ka ardhur momenti që ti vihet fre abuzimit dhe punonjësit shqiptarë të trajtohen me respekt?! Misioni ZËRI-t vazhdon…/ZËRI