
GREQI- Ledian Goga, personi që nxorri nga lumi dy të miturit, të cilët nuk mbijetuan, ende ka brejtje ndërgjegjieje për rastin e rëndë ku ishte dëshmitar. Ai premton se do të bëjë tatuazh dy djemtë që sot dhuruan organet e tyre për të shpëtuar jetë të tjera. Kjo për shkak se ngjarja ka lënë një shenjë të madhe në jetën e tij.
"Unë jam baba dhe bëra gjithçka që munda për fëmijët,"- thotë Goga, burri nga Shqipëria i cili, pa menduar dy herë, u zhyt në lumin Arachthos të mërkurën e kaluar për të shpëtuar 12-vjeçarin shqiptar dhe 14-vjeçarin grek. Ai thotë se do t'i bëjë tatuazh djemtë "për t'i pasur gjithmonë në zemër", ndërsa thekson se nuk u zhyt për të marrë nënshtetësinë greke, edhe pse i është ofruar.
"Jam mirë, të gjitha analizat më dolën mirë. Kisha pak ujë në mushkëri dhe gjak, por jam mirë. Falënderoj mjekët në Arta, ata bënë punën më të mirë me mua dhe fëmijët,"-tregoi ai për shëndetin e tij, pasi përfundoi edhe vetë në spital të shtunën.
Lidhur me shtetësinë greke ai tha: Më informuan se më kishin dhënë shtetësinë greke. Ministri më telefonoi dje dhe më tha: 'Po të pres në zyrë të të përqafoj, të të përshëndes dhe të pi një kafe me ty dhe më pas, të të jap shtetësinë.Kam qenë në Greqi për 20 vjet me dokumente, pa dokumente. Erdha kur isha 17 vjeç dhe jam 41 vjeç. Greqia është vendi im i dytë. U rrita këtu, dhashë vitet më të mira të jetës sime. Isha me dhe pa dokumente për 20 vjet. Nuk e bëra për shtetësi.
Ai kërkoi ndihmë për prindërit e 12-vjeçarit shqiptar që humbi jetën duke luajtur në lumë: Dua të them që duhet të ndihmojnë babanë dhe nënën e djalit shqiptar. Shteti duhet t'i ndihmojë sepse nuk kanë dokumente. Të paktën të vijnë dhe të kenë mundësi që të vendosin lule për fëmijën e tyre. Ata kanë dokumente edhe për 20 ditë. Nëse shkojnë në kufi do të gjobiten me 1,000 euro, ky është ligji. Dua që ta ndihmojnë këtë familje nëse është e mundur. Duhet të vendosin një tabelë të madhe në lumë që diçka e tillë të mos ndodhë përsëri!
Sot, mjekët kanë marrë organet e dy të miturve, për t'u përdorur për të ndihmuar të tjerë./ZËRI